"Shpërthimi te Parlamenti, me eksploziv"
Trazhgim Sokolaj
Një sasi eksplozivi e vendosur në hapësirën mes gomës së djathtë dhe kabinës, ka qenë shkak i shpërthimit të fuoristradës me targa TR 3838 M, e cila ishte parkuar para Parlamentit. Lajmi u konfirmua dje nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, sipas të cilave shpërthimi i fuqishëm përballë Parlamentit, i ndodhur në orën 23:00 të mbrëmjes së mërkurë, është shkaktuar nga sasi eksplozivi, e cila më pas shkaktoi djegien e makinës. Automjeti ishte në përdorim të ish-drejtorit të Inspektoratit Urban të Bashkisë së Tiranës. Pas të dhënave të grumbulluara ditën e djeshme, policia tha se automjeti me targa TR 3838 M ishte në pronësi të kompanisë "Galaxi Motors Palace" sh.p.k, dhe në përdorim të shtetasit Benard Kin Ujkaj, 48 vjeç. "Në këtë automjet është vendosur një sasi lënde eksplozivi dhe pas shpërthimit makina është përfshirë nga zjarri", thanë burimet nga policia. Sipas tyre, shpërthimi e më pas zjarri kanë dëmtuar disa lokale dhe xhama banesash pranë vendit të ngjarjes, por falë ndërhyrjes në kohë të forcave të shërbimit të zjarrfikëses dhe policisë, është realizuar shuarja e menjëhershme e zjarrit. Në hetimin e ngjarjes mësohet se janë angazhuar specialistë të Njësisë Speciale të Antieksplozivit, të cilët kanë bërë verifikimet e para nën drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, duke administruar provat materiale të gjetura aty.
Hetimi për shpërthimin
Pronari i automjetit në të cilin ndodhi shpërthimi, është kontaktuar nga policia menjëherë pas ngjarjes. Mëngjesin e djeshëm atij i është kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë, ku është marrë në pyetje për disa orë. Sipas hetuesve, pronari i mjetit, ish-zyrtar i Bashkisë Tiranë, ka pohuar se kishte më tepër se një orë që e kishte parkuar makinën, në momentin kur ka ndodhur shpërthimi. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se automjeti tip "Cuv Hover", me targa TR 3883 M, ishte i parkuar në krahun e djathtë të rrugës "Xhorxh W. Bush", në afërsi të godinës së Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë. Persona të paidentifikuar janë afruar aty mbrëmjen e të mërkurës, duke vendosur lëndën eksplozive mbi gomën e parë të krahut të djathtë të automjetit. Sipas policisë, besohet se vendosja e eksplozivit nuk është bërë shumë kohë para se të ndodhte shpërthimi. Ajo që ka mbetur e paqartë është mënyra si është aktivizuar lënda shpërthyese. Megjithatë rreth orës 23:00, eksplozioni ka dëmtuar makinën, e cila më pas ka marrë flakë. "Automjeti ka pësuar dëmtime të rënda, po kështu dëmtime të jashtme ka pësuar edhe lokali 'Toto-Bar', i ndodhur aty pranë", tha policia. Sipas saj, nga shpërthimi nuk ka persona të plagosur, por vetëm dëme materiale. Më shumë se dhjetë vendime ekspertimi janë përgatitur nga policia dhe prokuroria, me qëllim zbulimin e mekanizmit dhe autorëve të ngjarjes. Policia tha se për këtë ngjarje do të referojë në prokurori dosjen penale për veprën "shkatërrim të pronës me eksploziv".
"Po hetojmë konfliktet e ish-drejtorit të Bashkisë"
TIRANE - Policia e kryeqytetit tha dje se është duke hetuar konfliktet personale apo të punës, si shkakun kryesor të shpërthimit të ndodhur përballë Parlamentit të mërkurën pak para mesnatës. "Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka përcaktuar dhe po ndjek disa versione hetimi dhe është fokusuar në konflikte të mundshme të personit të dëmtuar", thuhet në një deklaratë të shpërndarë dje nga policia. Ndërkaq hetuesit thanë se e kanë pyetur dje për orë me radhë edhe vetë ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, nëse ka dyshime tek persona konkretë që mund të kenë vendosur eksploziv në automjetin e tij. Sipas burimeve nga hetimi, Benard Ujkaj nuk ka përmendur asnjë emër të dyshuari, duke mohuar konfliktet personale si shkak të ngjarjes. Ai megjithatë ka lënë të hapur mundësinë që gjatë ushtrimit të detyrës së tij si drejtor i Inspektoratit Urbanistik në Bashkinë e Tiranës, persona të ndryshëm të jenë prekur apo atakuar nga gjobat e vendosura. Pronari i makinës edhe në këtë version ka thënë se puna e tij ka qenë e ligjshme dhe pa incidente në Bashkinë e Tiranës. tr.so