Motori i ujit përplas plazhistin
DURRES/ OERD ULQINI
Një "pirat" deti aksidenton rëndë me motor uji, një pushues 38-vjeçar nga Kosova dhe më pas zhduket me shpejtësi maksimale nga vendngjarja. Pavarësisht se ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës, në mes të qindra pushuesve, asnjë prej tyre nuk ka qenë në gjendje të identifikojë aksidentuesin. "Scooter"-i i detit ka përplasur me shpejtësi turistin kosovar, gjendja e të cilit mbetet kritike për jetën, ndonëse bluzat e bardha janë duke bërë maksimumin. Nga burimet e policisë së Durrësit mësohet se ka qenë ora 14:30, kur shtetasi kosovar Sabit Kuçi, banor i zonës së Deçanit është goditur furishëm nga një motor deti. Sipas dëshmitarëve pushuesi po lahej në ujëra të cekëta, jo më shumë se 40 metra larg bregut, kur ka pësuar përplasjen e fortë. Nga ky aksident detar ai ka humbur ndjenjat në çast, çka do t'i kishte sjellë mbytjen e sigurt, por për fat dëshmitarët kanë arritur ta nxjerrin në breg në një kohë shumë të shpejtë, duke e dërguar më pas me urgjencë drejt Spitalit Rajonal. Ngjarja ka ndodhur në sektorin "Hekurudha" të plazhit të Durrësit, pranë pistës së njohur me emrin "Breshka". Burime nga spitali i Durrësit saktësuan për gazetën se pacienti-turist nga Kosova vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ai ka pësuar trauma të forta në trup dhe kokë nga goditja e befasishme me motorin e ujit. Duke qenë se nuk dihet identiteti i personit që shkaktoi ngjarjen, policia është duke ndërtuar identikitin e tij në sajë të përshkrimeve të dëshmitarëve. Kjo ngjarje ka kthyer rrezikun që është i pranishëm çdo ditë për pushuesit në zonat më të populluara të plazhit të Durrësit. Në verën e parë të moratoriumit antiskaf Policia Kufitare e Durrësit bllokoi dhe sekuestroi dhjetëra motorë uji, por më pas ata iu rikthyen pronarëve, pasi nuk përbënin shkelje. Në fakt, moratoriumi trevjeçar i skafeve kurrë nuk e klasifikoi si të ndaluar këtë mjet të shpejtë motorik, për vetë përmasat e vogla që ai ka. Por në antitezë me përmasat, këta motorë thyejnë rregullat mbi fuqinë motorike të përcaktuar në këtë moratorium. "Shpejtësia dhe fuqia motorike bien në kundërshtim me moratoriumin, ndërsa dimensionet e mjetit jo", tha për gazetën një efektiv policie i Postës së Plazhit. Por ndonëse këto mjete nuk kufizohen nga moratoriumi, janë të tjera struktura që duhet të ndalojnë lundrimet e tyre rrufe në brezin e cekët të ujit, aty ku mundësia për të prodhuar aksidente është tejet e lartë. Shpejtësia e motorëve të ujit mund të arrijë deri në 55-60 milje në orë (afro 100 km/h) dhe si të tillë ata përbëjnë një kanosje serioze nëse lundrojnë në ujërat plot pushues.