E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri te blloku, kapet i dyti

 

Arrestohet nga policia autori i dytë i plagosjes së ndo-dhur tri ditë më parë në një lokal në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, thanë se specialistët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës, kanë vendosur në pranga 21-vjeçarin Ermir Taulla, i kërkuar si autori i dytë i plagosjes së kamerierit të lokalit pranë Farmacisë Greke, në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. Arrestimi i 21-vjeçarit të shpallur në kërkim është bërë pak orë pasi autori tjetër i ngjarjes, Denis Saku, 23 vjeç kishte rënë në prangat e policisë së kryeqytetit. Sipas policisë dy të arrestuarit akuzohen se pas një sherri për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin 19-vjeçarin Lori Zylja, i cili punonte kamerier në një lokal në rrugën "Brigada e VIII-të" në kryeqytet. Ngjarja ndodhi pas mesnatës të së martës, pas një konflikti që dy të arrestuarit Denis Saku dhe Ermir Taulla kanë pasur me disa persona të tjerë në lokalin ku punonte i plagosuri Lori Zylja. Sherri mësohet se ka nisur për shkak se adoleshentët kishin konsumuar alkool dhe po flisnin me zë të lartë. Dy të arrestuarit janë konfliktuar me një grup tjetër të rinj fillimisht në mënyrë verbale. Në këtë kohë ka ndërhyrë kamerieri i lokalit, 19-vjeçari Lori Zylja, i cili u ka kërkuar Denis Sakut dhe Emrit Taullait të dilnin jashtë. Ata kanë kundërshtuar për më pas janë detyruar të dalin nga lokali. Sapo kanë dalë jashtë, dy të rinjtë kanë shkuar në banesa dhe disa minuta më vonë janë kthyer përsëri tek lokali me një armë tip pistoletë me vete. Dy të rinjtë kanë hyrë në lokal dhe pasi kanë kërkuar grupin tjetër të adoleshentëve me të cilët ishin konfliktuar më parë, janë zënë me kamerierin, të cilin pasi disa momenteve e kanë qëlluar me armë zjarri. Sipas policisë, 19-vjeçari Lori Zylja ka mbetur i plagosur por është dërguar në spital dhe pas ndërhyrjes së mjekëve ndodhet në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se shërbimet e saj shkuan në vendin e ngjarjes ku fiksuan disa prova të vlefshme për hetimin e çështjes. Pas kësaj, policia konfirmoi se dosjen e kësaj ngjarje do ta kalojë në prokurori për veprat penale "vrasje të mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim" dhe "mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", ndaj dy të arrestuarve Denis Saku dhe Ermir Taulla. I pari u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa Ermit Taulla arriti të largohej, por u shpall në kërkim dhe më pas u arrestua nga policia.         tr.so

Sherri për zërin e lartë në lokal
Mosmarrëveshjet mes adoleshentëve, të cilat degjeneruan më pas në përplasje fizike e më vonë në përdorimin e armës së zjarrit, kanë ndodhur për shkak se të arrestuarit po flisnin me zë të lartë, pasi kishin konsumuar lëndë alkoolike. Një grup tjetër të rinjsh u ka kërkuar të ulin zërin, por të arrestuarit kanë kundërshtuar, duke u zënë fillimisht në mënyrë verbale e më pas me përplasje fizike. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›