Droga, Prokuroria kërkon 38 vjet burg për grupin e "Ben Çamit"
TIRANE - Përfshirja në trafikun e narkotikëve rrezikon t'u kushtojë 38 vjet burg në total 6 personave, mes të cilëve edhe Lutfi Shabanit, i njohur si Ben Çami. Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti dje në seancën gjyqësore në ngarkim të të arrestuarve nga operacioni "Identikit" konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës. Sipas Prokurorisë, ishte provuar fajësia e të gjithë të pandehurve në përfshirjen e tyre në tre episode të trafikut të një totali prej 38 kilogramësh heroinë. "Veprimet janë kryer me vetëdije dhe me qëllim përfitimin material", pohoi prokurori gjatë leximit të pretencës. Në përfundim akuza kërkoi deklarimin fajtor të të gjithë të pandehurve për akuzat e "trafikimit të lëndëve narkotike" dhe "prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike". Si masë dënimi organi i akuzës kërkoi 9 vjet e 8 muaj heqje lirie për të pandehurin Lutfi Shabani, 6 vjet e 8 muaj heqje lirie për të pandehurin Isein Nasufi, si dhe nga 5 vjet e 8 muaj për secilin nga të pandehurit Dritan Gjura, Madrid Istrefe, Françesk Shkambi dhe Arif Kurti. Në masën përfundimtare të dënimit të pandehurit përfituan uljen 1/3 së dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Të pandehurit e këtij procesi u arrestuan në korrik të vitit të kaluar. ar.ba