E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo a duhet, por si duhet të dorëhiqet Edi Rama

Blendi Kajsiu 

Tashmë është e qartë që koalicioni i udhëhequr nga PS-ja me Edi Ramën në krye ka humbur. Basti i Ramës se do ishte i vetëm në krye të një koalicioni shumicë si në elektorat edhe në Parlament, dështoi. Akuzat për tradhti ndaj Metës janë qesharake, pasi në këto zgjedhje Rama hyri për të fituar vetëm, pa LSI-në, duke e shtyrë këtë të fundit deri në grevë urie. Braktisja e LSI-së nga  PS-ja ndodhi shumë kohë përpara braktisjes së PS-së nga LSI-ja.  Prandaj aleanca mjaft e shëmtuar mes Metës dhe Berishës nuk e zbukuron humbjen e Ramës. Rama nuk mund të fshihet as pas kontestimit të një procesi zgjedhor, që në shumicën e tij është formësuar dhe përshëndetur nga ai vetë. Humbja e të majtës në këto zgjedhje nuk ka ardhur thjesht si pasojë e vjedhjes së votave nga PD-ja, për faktin e thjeshtë se në tërësinë e saj e majta mori më shumë vota se e djathta. Ndaj Rama nuk gënjen kur thotë se Berisha nuk ka fituar. Ama e vërteta e plotë është; nuk fitoi Berisha, por humbi Rama. Në të gjithë historinë e tranzicionit shqiptar, është e vështirë të ketë pasur një opozitë më të mirëpozicionuar për të fituar; me mbështetje të fuqishme mediatike, me mbështetje të fuqishme financiare, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, në kontroll të fuqishëm të pushtetit vendor në shumë qytete, propozuese dhe hartuese kryesore e Kodit dhe sistemit elektoral. Për të gjitha këto arsye, Ramës humbja i peshon shumë më tepër sesa kontestimi i zgjedhjeve. Problemi është se analiza e mësipërme po bëhet gjithnjë e më shumë në ambientet mediatike dhe gjithnjë e më pak brenda strukturave të PS-së. Ndërkohë që në analizën e fundit vendimi për dorëheqjen e Ramës duhet të vijë nga presioni brenda vetë PS-së dhe jo thjesht nga trysnia jashtë saj. Është disi e çuditshme dhe qesharake kur dëgjon se si një tufë analistësh diskutojnë se kush duhet të ikë dhe kush duhet të rrijë në krye të PS-së me më shumë zell dhe tagër se vetë forumet dhe strukturat e PS-së. Ndërsa eksponentët kryesorë brenda PS-së vijojnë të heshtin për këtë çështje, duke u kufizuar tek vlerësimi i procesit elektoral apo i sistemit zgjedhor. Të krijohet përshtypja se shumë eksponentë brenda PS-së e presin ndryshimin e lidershpit nga presioni mediatik jashtë saj. Për pasojë kemi arritur në një situatë të çuditshme, ku mediat dhe analistët merren me politikë, ndërkohë që duhet të merreshin me analiza, ndërsa politikanët bëjnë analiza ndërkohë që duhet të bënin politikë.
Deri diku ky deformim buron nga situata e mjerë dhe mungesa e debatit brenda gjirit të partive politike shqiptare.  Në këto kushte presioni publik nga jashtë, veçanërisht ai mediatik bëhet i rëndësishëm. Ama duke u përpjekur të krijojë dhe ndihmojë debatin brenda partive politike ky presion rrezikon të prodhojë efektin e kundërt, sepse ai e transferon debatin politik nga forumet partiake dhe anëtarësia drejt studiove televizive. Për pasojë, analistët flasin si politikanë duke marrë qëndrime të forta në lidhje me të ardhmen e partive që nuk u përkasin, dhe politikanët flasin si analistë duke u marrë me analizën dhe vlerësimin e procesit elektoral, por pa mbajtur qëndrime në lidhje me të ardhmen e partisë që përfaqësojnë. Militantëve dhe strukturave të partisë u mbetet ta mësojnë fatin e partisë së tyre nga studiot televizive më shumë sesa nga diskutimi, debati dhe votimi brenda forumeve partiake. Në këtë mënyrë hapësira publike mediatike, duke u përpjekur të ruajë një standard politik, siç është dorëheqja e liderit pas humbjes në zgjedhje, rrezikon të eliminojë procesin politik brenda partive. Pa këtë proces partitë rrezikojnë të kthehen thjesht në klika politiko-mediatiko-biznesi, ku vendimet merren nga dhe për interesa tejet të ngushta. Prandaj çështja më e rëndësishme sot nuk është nëse Rama do dorëhiqet apo jo, por si duhet të dorëhiqet Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›