Policia djeg drogën e kapur vitet e fundit
TIRANE - Asgjësohet droga e kapur gjatë viteve të fundit në kryeqytet. Policia e Tiranës pohoi mesditën e djeshme zyrtarisht se një ditë më parë, një komision i përbërë nga përfaqësues të Prokurorisë së Tiranës, Gjykatës së Tiranës, Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, shefi i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranë, shefi i Seksionit Kundër Narkotikëve në Sektorin Kundër Krimit të Organizuar, ekspertë Kriminalistë, asistuar nga specialistë dhe ekspertë të këtij drejtimi, në lagjen periferike, të quajtur Sharrë, realizuan asgjësimin e një sasie të konsiderueshme lëndësh narkotike. Procedurat e asgjësimit të narkotikut me djegie, u kryen në zbatim të urdhrit të Prokurorisë i datës 21 shkurt 2008, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Tiranës. Kështu sipas policisë u shkatërruan 887 gramë kokainë; 18 kilogramë heroinë si dhe 317 kilogramë lëndë narkotike "cannabis sativa". Kjo sasi droge rezulton të jetë kapur nga policia në disa aksione të viteve të fundit dhe pas përfundimit të proceseve gjyqësore kishte mbetur e magazinuar. Sipas policisë procesi i asgjësimit të drogës është shoqëruar me fotot dhe filmimet përkatëse. f.m.