E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpërthimi, vritet "kapuçi i zi"

06/03/2005  Një person i paidentifikuar humb jetën në pallatin e invalidëve

Një shpërthim tritoli i ka shkaktuar humbjen e jetës personit që e transportonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 04:15 të së djeshmes në pallatin e invalidëve të luftës, në rrugën "Don Bosko". "Kamikazi" nuk është identifikuar ende. Në xhep iu gjet një qese plastmasi blu, ku kishte një copë bukë dhe një qofte. Viktima mbante në kokë një kapuç të zi, por me fytyrë të zbuluar. Gjendet gjurmë gjaku, që mendohet ti përkasin një bashkëpunëtori që mbeti i lënduar nga shpërthimi. Drejtori Albert Dervishi pohon se gjaku është i vjetër, e megjithatë është kthyer në pjesë të hetimeve. Grupi hetimor po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij shpërthimi, i cili konsiderohet nga ekspertët si shumë i ndërlikuar dhe pa shumë të dhëna orientuese.

Ngjarja

Ora 04:15 e së djeshmes ka shënuar një shpërthim të fuqishëm në pallatin e invalidëve, në rrugën "Don Bosko". Burime zyrtare nga komisariati nr 3 shprehen se banorët e pallatit janë alarmuar nga zhurma, që ka pasur plasjen e lëndës eksplozive. Ata kanë dalë menjëherë në dyert e apartamenteve të tyre, për të parë se ç'kishte ngjarë. U është dashur pak minuta për të kuptuar se nga kishte ardhur zhurma, pasi tymi dhe ajri i rëndë e bënin të pamundur orientimin. Banorët kanë dëshmuar para bluve se në sheshpushimin mes katit të parë dhe atij të dytë, gjetën trupin e copëtuar të një të riu. Në kokë mbante një kapuç të zi, por fytyrën e kishte të zbuluar. Në xhep iu gjet një qese plastmasi ku mbante një copë bukë dhe qofte. Menjëherë u lajmërua policia kriminale e komisariatit nr 3, e cila mbërriti në vendin e ngjarje pak minuta më pas. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, trupi i pajetë u përcoll për në institutin e mjekësisë ligjore, ku iu nënshtruar autopsisë. Uniformat theksojnë se shpërthimi i lëndës eksplozive ka qenë shumë i fortë, pasi nga presioni i tij janë puthitur fort dyert e dritaret e apartamenteve, që ndodheshin më parë vendit të ngjarjes. Veç kësaj, banorëve të pallatit u është dashur të asistojnë gjatë orëve të para të ditës në një spektakël rrënqethës. Muret e sheshpushimit, ku shpërtheu lënda eksplozive ishin të ndotura nga mbeturina të trupit të viktimës. Ndërkaq, në institutin e mjekësisë ligjore u krye ekspertiza e trupit të paidentifikuar. Në bazë të konkludimeve paraprake, rezultoi se tritolmbajtësi duhet të ishte rreth 25-27 vjeç. Ai ishte dëmtuar rëndë në pjesën e poshtme të trupit, por dhe në gjymtyrët e sipërme. Por, ai nuk ka asnjë dokument personal me vete, që të mund të identifikohet. Përpos këtij fakti, policia nuk mundi të gjente as dhe një emër në moshë të përafërt me të, që është zhdukur kohët e fundit.

Motivet

Ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin e viktimës, janë hedhur dyshimet e para, që do të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Të njëjtat burime, nga komisariati nr 3, shprehen se grupi hetimor e ka shumë të vështirë orientimin në një pistë të saktë. "Momentalisht kemi vetëm një kufomë të paidentifikuar dhe dëshmitë e banorëve të terrorizuar, që nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë hapash, apo të kenë parë ndonjë siluetë njeriu", shtojnë burimet. Sipas tyre, mbeten shumë të paqarta motivet e shpërthimit. Nuk përjashtohet mundësia që viktima të jetë nisur për ti bërë atentat ndokujt dhe një pakujdesi e vogël e tij, apo e bashkëpunëtorëve i kanë marrë jetën. Në 7 shkallët e pallatit ku shpëtheu "kamikazi", banojnë një oficer i lartë i policisë së shtetit dhe 2 ish-drejtora policie, që kanë shërbyer në qarqe të vështira e problematike të vendit. Pikërisht duke u nisur nga ky fakt, grupi hetimor çeli si pistë të mundshme mundësinë e tyre si shënjestër të atentatorëve. Por, ata janë larguar nga detyrat muaj më parë dhe nëse do të kishin probleme, do të ishin bërë evidente deri më tash. Lidhur me këtë fakt, drejtori i policisë së kryeqytetit u shpreh se asnjë nga ish-oficerët, nuk ka patur ndonjë problem gjatë kësaj periudhe. "Grupi hetimor ka marrë në pyetje të gjithë ish-funksionarët e lartë, apo dhe ata që janë aktualisht në policinë e shtetit, të cilët banojnë aty pranë. Asnjëri prej tyre nuk rezulton të ketë ndonjë probleme, që mund të bëhet shkak për tu bërë shënjestër e atentatit", deklaroi publikisht Albert Dervishi. Përsa i përket, pjesës tjetër të banorëve aty rrotull, vëzhgimet kanë treguar se komuniteti i pallatit përbëhet kryesisht nga çifte të moshuar, që jetojnë të vetëm si dhe qeraxhinj të ardhur nga rrethet. Por dhe këta të fundit, nuk punojnë në ndonjë vend të rëndësishëm pune apo të jenë bisnesmenë në fusha të ndryshme.

Bashkëpunëtori

Si të mos mjaftonte vdekja makabre e viktimës, dyshohet se me të mund të ketë qenë dhe një bashkëpunëtor tjetër. Jo larg vendit të ngjarjes, banorët e pallatit të invalidëve kanë zbuluar gjurmë gjaku, që përfundonin pak hapa më tutje. Dëshmitarët okularë pohuan se me të zbuluar trupin e pajetë, që shpërtheu me tritolin ndaj të gdhirë, nuk mund të mos u binte në sy vazhda e gjakut. Ajo humbiste tutje, gati në hyrjen e shkallës ngjitur. Banorët e pallatit ku ndodhi ngjarja kanë pohuar për uniformat se mbrëmjen e së premtes, gjurmët nuk ishin nëpër shkallë. Ato duhet të jenë bërë patjetër pas plasjes së tritolit. Burimet zyrtare të drejtorisë së qarkut shprehen ndërkaq shumë skeptikë lidhur me mundësinë e ekzistencës së një personi të dytë, që mbeti i lënduar te pallati i invalidëve. "Është e vërtetë se policia ka gjetur në vendin e ngjarjes gjurmë gjaku. Por, nga rezultatet paraprake të ekspertizës është konkluduar se gjaku është i mpiksur është i vjetër dhe i tharë. Ai nuk është i freskët, që të mund të dyshojmë se shpërthimi ka shkaktuar dhe të plagosur", u shpreh për mediat drejtori i policisë së Tiranës, Albert Dervishi. Kryekomisari theksoi se megjithë këtë fakt, pikat e gjakut janë kthyer tashmë në pjesë të hetimeve, nga ku mund të hidhet dritë në fakte mjaft domethënëse për zbardhjen e ngjarjes. Sakaq, të njëjtat burime nga komisariati i policisë nr 3, shtojnë se të shumta janë gjasat, që gjurmët e gjakut ti përkasin një personi të dytë, që mund të jetë plagosur nga shpërthimi i orëve të para të mëngjesit. Ndonëse nuk ka asnjë provë, që të përligjë këtë dyshim, prania e gjakut nuk mund të shpjegohet ndryshe. Nëse do të identifikohet kufoma, shtohen shanset e grupit hetimor për të gjetur fijen lidhëse me të plagosurin. Paskëtaj, do të lehtësohet puna për zbardhjen e plotë të skemës së shpërthimit si dhe të gjithë rrethanave të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›