E Shtunë, 31 Tetor 2026

Byhler: KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë aq sa ka nevojë

Nga Express më 10 mars 2011 në ora 20:26

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Erhard Byhler ka thënë se gjatë shëtitjeve nëpër Kosovë mund të shohim infrastrukturë të re dhe zhvillim, por mbi të gjitha vërejmë të rinjtë që punojnë për të ardhmen e tyre që janë të etur për shkollim dhe kanë mendje të hapur drejt vizionit tonë të përbashkët evropian.

Ai këto komente i bëri të enjten mbrëma me rastin e pritjes vjetore të organizuar nga KFOR-i, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, partive politike, EULEX-it, komuniteteve fetare, etj.

“Natyrisht, që ka ende sfida në këtë rajon, por duke marrë parasysh zhvillimet gjatë këtyre viteve të kaluara, rezultati i të cilave gjithashtu janë bisedimet të sapofilluara mes Prishtinës dhe Beogradit, si një kthesë tejet e rëndësishme e zhvillimit dhe kështu ne si KFOR natyrisht po tërhiqemi gjithnjë e më shumë nga skena dhe kjo është një gjë e mirë. Sigurisht ne do të jemi të gatshëm dhe do të qëndrojmë për aq sa ka nevojë. Bartja dhe dorëzimi i përgjegjësive në aspektin e sigurisë në duart tjera të besueshme hap pas hapi është qëllimi ynë”, ka thënë Byhler.

Komandanti i KFOR-it po ashtu, siguroi të gjithë qytetaret e Kosovës se NATO dhe KFOR-i do të jenë të përkushtuar ndaj njerëzve në Kosovë si dhe ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Një fjalë rasti para të pranishmëve ka mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili me këtë rast falënderoi KFOR-in dhe të gjitha vendet e NATO-s që marrin pjesë me trupat e tyre në Kosovë.

“Përpara tragjedisë së shqiptarëve, tragjedisë së popullit tim, ju nuk hezituat dhe erdhët e çliruat Kosovën. Kosovarët dhe populli im nuk e harrojnë këtë dhe do të jenë gjithmonë falënderues”, ka thënë Pacolli.

Për më tepër, ai ka thënë se Kosova edhe më tutje ka nevojë për ndihmën e KFOR-it, në mënyrë që të vazhdojnë përgatitjet që vendi ynë një ditë të jetë pjesë e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO.

“Kosova bashkë me ju do të vazhdojë përgatitjet në rrugëtim për të hyrë në shtëpinë në të cilin gjendeni ju sot, në NATO. Aty është destinacioni ynë dhe ne nga këtu duam që të kontribuojmë popujve dhe shteteve që janë të ngjashme me ne. Ne do t’ua kthejmë”, ka thënë Pacolli.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›