Shpëtim Duro: “Kupa, objektivi i Partizanit”
Partizani, rekordmeni aktual i Kupës së Shqipërisë, me 15 trofe, do të përballet me Flamurtarin në çerekfinalet e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, si ekipi i dytë më i mirë i fillimvitit. Kupa është objektivi më i arritshëm për skuadrën që ka fituar 32 trofe midis kampionatit, Kupës e Superkupës së Shqipërisë. Ecuria mbresëlënëse e 15 herë kampionëve të Shqipërisë, - 4 fitore në 5 takimet e fundit, - nisi pikërisht me fitoren 2-0 kundër Flamurtarit në kryeqytet, në javën e fundit të vitit 2008. “Asnjëherë nuk i dihet në futboll”, - tha trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro. “Nuk ka pse ta nënvleftësojmë Kupën kur mund të ecim edhe duke menduar për finalen. Në Vlorë do të luajmë me formacionin më të mirë dhe do të kërkojmë që të kthehemi me rezultat pozitiv”. Në përballjen e fundit në Vlorë, Partizani humbi 1-0 me Flamurtarin.
Kola: “Nuk u trembemi rivalëve”
Tirana mbërriti në finalen e humbur me Vllazninë (0-2) të edicionit të kaluar të Kupës së Shqipërisë, pasi më parë kishte eliminuar në gjysmëfinale Elbasanin, në dy ndeshje me “pamje” diametralisht të kundërta: Tirana fitoi 3-0 në “Ruzhdi Bizhuta” dhe Elbasani fitoi 3-1 në “Selman Stërmasi”. Dy skuadrat, të cilat u ndanë me një barazim të bardhë të shtunën e kaluar në kryeqytet, do të jenë sërish përballë njëra-tjetrës të mërkurën po në “Selman Stërmasi” në ndeshjen e parë të çerekfinaleve.
Trajneri i Tiranës, Agustin Kola, është i qartë për rëndësinë e takimit. “Ndeshja kundër Elbasanit është e vështirë. Kupa ka tjetër specifikë nga kampionati. Tirana nuk i trembet asnjë rivali”, - tha tekniku për mediat. Elbasani ka një bilanc negativ me bardheblutë në kualifikimet direkt: vetëm 4 të tilla, kundrejt 10 të Tiranës. “Kupa është tjetër gjë nga kampionati dhe ndonjëherë fatin e kualifikimit e vendos edhe një gol i vetëm, edhe pse luhen vetëm dy ndeshje”, - tha trajneri i Elbasanit, Faruk Sejdini.
25 Shkurt 2009