Rexhepi u bën thirrje serbëve: “Hiqni dorë nga 6-pikshi!”
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor në pjesën veriore të Kosovës kanë deklaruar se banorët serbë duhet ta përjashtojnë si mundësi zbatimin e planit 6-pikësh të OKB-së në Kosovë. Sipas Rexhepit, ky plan është i pazbatueshëm në territorin kosovar dhe pengon në integrimin e pakicës serbe në shoqërinë dhe institucionet kosovare. “Serbët do të mundohen që përmes 6-pikëshit të jenë faktorë vendimmarrës, por ata duhet ta dinë se Kosova është një vend i pavarur e sovran dhe se plani 6-pikësh është i vdekur”, - ka pohuar Rexhepi. Për të bindur popullatën serbe në veri të Mitrovicës, e konsideruar si zona më problematike në Kosovë, Rexhepi ka kërkuar edhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar.
Jeremiç për problemin me SHBA-të: “Është sekret shtetëror”
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se ekzistojnë probleme serioze me SHBA-të e, për pasojë, me politikën e jashtme për shkak të rastit “Miladin Kovaçeviç”, megjithatë ai mbrohet nga Kushtetuta, e cila nuk lejon që qytetarët e Serbisë t’u dorëzohen shteteve të tjera. Jeremiç bëri të ditur se nuk mund të flasë për detaje, sepse problemi në fjalë ka të bëjë me një sekret shtetëror. Ndër të tjera, ministri i Jashtëm serb tha se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për ta zgjidhur këtë problem me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. “Atëherë rasti nuk do të ketë më shenjën e sekretit shtetëror dhe qytetarët do të lajmërohen për të gjitha”, - deklaroi Jeremiç. Kovaçeviç në SHBA akuzohet për rrahjen e kolegut Brajan Shtajnhauer dhe më pas është larguar nga SHBA-të.
25 Shkurt 2009