E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesiç: “Republika serbe të mos shkëputet nga Bosnja”



Presidenti kroat, Stipe Mesiç, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina. Mesiç i bëri këto komente pas deklaratës së kryeministrit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, për shkëputjen e kësaj republike nga Bosnjë-Hercegovina. Presidenti kroat tërhoqi vërejtjen se nuk duhet lejuar që të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina, sepse, siç ka thënë ai, ky vend gjithmonë ka qenë një entitet dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë autonomi brenda Bosnjës e Hercegovinës. Mesiç tha se në luftën e kaluar ka ndodhur pastrimi etnik, gjë që tani në Republikën Serbe jetojnë vetëm 8 për qind e kroatëve dhe boshnjakëve, ndërsa para luftës ka pasur 48 për qind të tyre.

Njohja e Kosovës nga Rusia vetëm pas Beogradit

Duke komentuar deklaratat e liderëve të Kosovës se Rusia do ta njohë Kosovën e pavarur, ambasadori rus pranë Bashkimit Europian, Vladimir Çizhov, është shprehur se Moska mund ta bëjë këtë, por jo para Serbisë. “Mund ta shqyrtojmë këtë çështje, por jo para se Serbia ta njohë Kosovën”, - është shprehur Çizhov për një të përditshme të Beogradit. Diplomati rus mendon se nuk do të rritet shpejt numri i vendeve që do ta njohin Kosovën. Brenda BE-së pesë shtete nuk e kanë njohur Kosovën, thotë Çizhov, duke pohuar se disa nga këto shtete janë në “pozicione të forta” dhe nuk do ta njohin Kosovën edhe nëse Beogradi e bën këtë. Ndërkaq, në lidhje me njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ambasadori rus tha se “askush nuk mund të pohojë se ky projekt ka përjetuar një sukses total”.

Berluskoni dhe Sarkozi firmosin marrëveshjen për energjinë bërthamore
Kryeministri italian, Silvio Berluskoni dhe presidenti francez Nikola Sarkozi, nënshkruan në Romë marrëveshjen ndërqeveritare mbi energjinë bërthamore, që pritet t’i afrojë edhe më shumë dy vendet në prodhimin e energjisë atomike. Marrëveshja e firmosur në mbyllje të samitit italo-francez u shoqërua edhe nga një memorandum mirëkuptimi mes dy kompanive të mëdha energjetike, “ENEL” dhe “EDF”. Kjo marrëveshje e rëndësishme përfshin, përveç të tjerash, bashkëpunim teknologjik dhe trajnim stafi. Pas fatkeqësisë së Çernobilit gati dy dekada më parë, italianët vendosën me referendum mbylljen e programit të energjisë bërthamore të vendit dhe ndërtimin e reaktorëve bërthamorë.
Por qeveria e Berluskonit kërkon t’i rikthehet sërish kapacitetit atomik dhe për këtë i duhet ndihma e Francës. Paqëndrueshmëria e çmimit të naftës dhe konflikti Rusi-Ukrainë rrezikojnë rezervat europiane të energjisë, duke e bërë fuqinë bërthamore një variant tërheqës për faktin se nuk shkakton emetime gazesh të dëmshme.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›