E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia dhunon dhe shoqeron ne komisariat regjisorin Kujtim Cashku

Pas dhunimit publik të protestës së kineastit të njohur dhe studentëve të tij, policia nuk heziton të përdorë forcën dhe shoqërimin e tyre në Komisariat si të ishin kriminelë ordinerë

Petrika GROSI
Pas dhunimit publik të protestës së kineastit të njohur dhe studentëve të tij para oborrit të akademisë së filmit “Marubi”, policia nuk ka hezituar të përdorë forcën dhe shoqërimin e tyre në rajon, sikur të mos kishte të bënte me një personalitet të njohur të artit e kulturës, arsimit dhe kinemasë shqiptare dhe me studentë paqësorë, por me ca kriminelë ordinerë. Edhe në komunikatën për shtyp të policisë thuhej se, “Policia shoqëroi dje në Komisariatin Nr. 4 në kryeqytet rektorin e akademisë së filmit dhe multimedias “Marubi”, Kujtim Çashku, djalin e tij, si dhe katër studentë. Shoqërimet në polici u bënë pas protestave që vazhduan edhe sot në ambientet e akademisë “Marubi”, kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për lirimin e ambienteve të akademisë private. Studentët nuk pranuan të lëshojnë ambientet dhe policia vendosi shoqërimin e disa personave në rajon, për ta shpërndarë më pas protestën”.
Policia ka disa ditë që nuk lejon vazhdimin e mësimit në ambientet e Akademisë, ndërsa studentët që paguajnë për profile të ndryshme në këtë Akademi po protestojnë çdo ditë për këtë vendim.
Rektori Kujtim Çashku akuzon qeverinë dhe ministrin e Kulturës për presion të qëllimshëm. Çashku pohon se po mblidhen firmat nga personalitetet shqiptare por edhe të huaja të artit, për t’i dërguar peticion Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha për situatën e krijuar. Rreth orës 14:50, rektori i akademisë së filmit “Marubi” la ambientet e Komisariatit Nr. 4 bashkë me të ndaluarit e tjerë. Pak pas daljes nga Komisariati i Policisë Nr.4, Çashku komentoi për mediat hapat që do të ndiqen nga ana e tij pas situatës së djeshme, që ai e quajti të turpshme: “Do të grumbullojmë dokumentacionin dhe në bazë të tij do të veprojmë nëpërmjet Drejtësisë. Theksoj se në këtë mes janë shmangur gjykatat, është ushtruar dhunë”. Rektori shtoi: “Tani e në vijim do ta ndjek këtë çështje me anë të procedurave ligjore”.

Pango: “Çashku të paguajë qiranë dhe nuk e largojmë”

Ministri Pango ka dalë në një konferencë për shtyp duke sqaruar situatën. Sipas tij, askush nuk e ka dëbuar akademinë e filmit nga territori i saj, por kërkohet që të lirohet territori shtesë i pushtuar prej “Marubit”, si dhe të paguhet qiraja për këtë ambient. Ai tha: “Kujtim Çashkut i është dhënë në përdorim pa shpërblim për 10 vjet një sipërfaqe prej 200 m2, për ngritjen dhe funksionimin e shkollës së lartë ‘Marubi’ për filmin dhe multimedian. Nga ana e kësaj shoqërie që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe deri tani janë përdorur jo vetëm 200 m2 të falura nga ish-kryeministri Fatos Nano, por e gjithë godina dhe sipërfaqja funksionale e saj, pra një sipërfaqe prej 1822 m2 nën objekt. Subjekti nuk ka paguar asnjëherë asnjë detyrim ndaj shtetit për periudhën e përdorimit të këtyre ambjenteve nga data 4 shkurt 2005 deri më 1 shkurt 2009. Përveç kësaj, subjekti në fjalë ka uzurpuar edhe 2.924 m2 sipërfaqe jashtë godinës që kërkon t’i përdorë për interes privat”. Sipas ministrit Pango, asnjëherë nuk është penguar mbarëvajtja e shkollës dhe forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë aspak për këtë, por i është kërkuar z. Çashku vetëm të shlyejë detyrimet ndaj shtetit për sipërfaqen 1475.6 m2, detyrim i cili kap shifrën e 41.316.800 lekëve dhe të largohet nga sipërfaqja e lirë e uzurpuar prej 2.924 m2. Megjithatë, kur flitet për një shkollë të lartë që përgatit studentët enkas për kinemanë dhe filmin, (degë që mungon edhe në Akademinë e Arteve) ndoshta problemi duhet parë me ngjyra më komplekse dhe shuma të tilla mund të reduktohen në simbolike apo edhe të falen, sikurse janë falur në raste të tjera krejt banale.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›