Ministri i Kulturës “sulmon” simbolet e Kombëtares kuq e zi
I pyetur mbi kthimin në Shqipëri të statujës së vjedhur nga Butrinti para 18 vitesh, (koka e hyjit Asklepius), ministri i Turizmit dhe Kulturës, Ylli Pango, është shprehur: “Ne negociuam për sjelljen e statujave greke në Shqipëri dhe të njëjtat procedura po ndiqnim edhe për kokën e Asklepiusit. Kryem procesin gjyqësor për të vërtetuar pronësinë mbi këtë objekt, i cili ishte blerë nga një koleksionist italian në Londër. Procesi po vazhdon për ta kthyer këtë pronë legjitime shqiptare dhe askush nuk paguan për pronën e vet. Kështu, nuk ka nevojë që një privat të paguajë që shteti të marrë atë që i takon. Igli Tare i ka paguar paratë italianit, i cili pretendon se ka faturat por nuk është e rregullt nga ana ligjore dhe bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Koleksionisti është në hetim për këtë çështje për të vërtetuar blerjen dhe origjinën e mallit”. Por, ndërsa ministri Pango thotë se ish-futbollisti i njohur i Kombëtares kuqezi ka shkelur ligje e konventa ndërkombëtare, harron me ose (pa) qëllim, faktin që në anën tjetër ajo skulpturë mund të blihej nga kushdo që dëshironte në ankand dhe në këtë rast të humbte destinacionin. Pikërisht për këtë qëllim, pra për të shmangur shitjen e saj tjetërkund, por edhe për t’i thënë qeverisë që t’i japë fund neglizhencës së saj dhe të institucioneve kompetente kur mund të bëhej shumë më tepër në këtë drejtim, Igli Tare dhe Lorik Cana kanë bërë gjestin aspak të dënueshëm, madje të denjë për admirim. Nuk dimë ndonjë rast tjetër sensibilizimi të këtij lloji kur privati investon pa asnjë interes 20 mijë euro, si dhe kohën e tij të çmuar, vetëm e vetëm për të rikthyer në Shqipëri trashëgiminë kulturore materiale të vjedhur dhe me vlera jo vetëm kombëtare, por shumë më tepër...
“Kisha dëgjuar rastësisht në Romë rreth shitjes nga Christie’s të
kësaj koke, si dhe historinë e saj intriguese, e cila niste me gjetjen e saj në Butrint shumë vjet më parë nga arkeologu i njohur italian Ugolini, si dhe vjedhjen e saj në vitin 1991 nga stendat e Muzeut të Butrintit. Këto rrethana më bënë që të kërkoj dhe të interesohem me anë të avokatit tim për të gjetur personin që e kishte blerë atë kokë, si dhe për t’i ofruar atij një shumë parash që të na e shiste, me qëllim kthimin e saj në atdhe pas rreth 18 vjetësh. Bisedova me Lorikun dhe ai u tregua entuziast në këtë ndërmarrje”, – është shprehur Tare në një intervistë të dhënë para pak kohësh për median shqiptare. Më tej, ai shton: “Ka qenë indiferenca e shtetit ajo që më ka bërë përshtypje, po aq sa edhe historia dramatike e vetë kokës së Zeusit. Institucionet që merren me këto punë duhet të kenë ide të qarta për vendndodhjen dhe mënyrat e rikthimit në Shqipëri të kësaj pasurie të madhe kombëtare, që sot endet nëpër koleksionet e të gjithë botës dhe që është vjedhur e grabitur në mënyrë të shëmtuar nga muzeumet tona. Shpresoj që ky gjest modest i yni të shërbejë si një akt sensibilizimi dhe vënieje në lëvizje të strukturave në Shqipëri për gjetjen dhe rikthimin e sendeve të vjedhura monumentale dhe arkeologjike”. Sa i takon skulpturës së vjedhur, busti i hyut të famshëm Asklepius, i gdhendur në mermer të bardhë me vena të gjelbra, është nga më të mirët e periudhës klasike të gjetur në Butrint. Megjithëse sot busti i famshëm i Deas njihet si skulptura më e njohur e këtij qyteti antik, në fakt shtatorja e Asklepit mund të konsiderohet si më e famshmja e Butrintit, pasi zhvillimin dhe famën e vet të hershme Butrinti ia detyron pikërisht një faltoreje kushtuar Asklepiusit, perëndisë së mjekësisë, që u ndërtua në shekullin IV para Krishtit, në shpatin jugor të kodrës së Akropolit. Por ndryshe nga zbuluesi i kokës, prof. Ugolini, studiues të tjerë mendojnë se mund të bëhet fjalë edhe për Zeusin.
25 Shkurt 2009