E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtim Duro, pika e parë me Partizanin

Shpëtim Duro merr pikën e parë me Partizanin në Kategorinë Superiore. Sfida e së premtes në fushën e Besës është mbyllur në barazim 0-0, një rezultat që më tepër sesa në klasifikim, i ndihmon të kuqtë në aspektin moral. Në këtë mënyrë, kryeqytetasit ndërpresin serinë e humbjeve (dy radhazi përballë Dinamos dhe Shkumbinit) dhe marrin barazimin e tretë në 10 javë të luajtura. Në kampin tjetër, rezultati në përfundim të 90 minutave bën që Besa të regjistrojë barazimin e katërt në fushën e saj dhe të "frenohet" në kuotën e 16 pikëve. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja qëndron mes kryesueseve në klasifikim, por në rast fitoreje ajo do ta kishte ngushtuar (të paktën për momentin) me 1 pikë diferencën nga Tirana kryesuese.

Edhe pse në Kavajë mendohej se Partizani do të luante më shumë në mbrojtje (mungesa e lojtarit më të mirë të skuadrës, Elis Bakaj e kushtëzonte një fakt të tillë), fusha e lojës paraqiti një tablo krejt të ndryshme. Gjatë 45 minutave të para kryeqytetasit janë treguar shumë agresivë, duke i detyruar kundërshtarët që të mbroheshin me kujdes dhe të mendonin pak për fazën sulmuese. Me daljet e shpejta të kuqtë arrijnë të shfaqen rrezikshëm përpara portës së Zendelit të paktën në tri raste, por fillimisht Gjyla, e më pas Ngjela, nuk gjejnë rrjetë. Korçari, i cili ka fituar një fanellë titullari pas largimit të brazilianëve, kishte edhe rastin më flagrant, por nuk arriti të mposhte "gardianin" verdhezi. Në minutën e 38-të është regjistruar edhe një tentativë e të riut Arbër Capo, por gjuajtja e tij e fuqishme nga distanca frenohet nga portieri kavajas. Ndërkohë, për Besën kanë provuar, por pa sukses, Mancaku, Fortunat e kosovari Haliti. Në fraksionin e dytë të lojës vendasit duken më kërkues dhe provojnë me të gjitha mënyrat që të zhbllokojnë rezultatin. Fortunat ka një shans mjaft të mirë në të 49-ën, por sulmuesi haitian nuk arrin ta dërgojë topin pas shpinës së Shehit, edhe pse ndodhej vetëm pak hapa larg portës. Portieri i Partizanit reagon shumë mirë pak çaste më vonë, duke neutralizuar gjuajtjen e Halitit, pasi ai kishte dribluar të gjithë mbrojtësit që i dilnin përpara. Minuta e 73-të sjell edhe episodin e diskutuar të ndeshjes: Mancaku dërgon në rrjetë një harkim nga e majta, por goli anulohet nga asistenti i gjyqtarit Sokol Çekaj. Pavarësisht protestave të lojtarëve dhe tifozëve vendas, rezultati vazhdon të jetë i barabartë. Minutat e fundit të takimit sjellin edhe tentativat e kavajasve, fillimisht me Ishkën e më pas me Hoxhën, por Shehi nuk lejon pësimin e golit. Me rezultatin 0-0 skuadrat regjistrojnë barazimin e 39-të në 110 ndeshje të luajtura.

Të tjerat - Sot në kampionatin elitar do të luhen tri takime të tjera. Në objektivat për të qenë mes kryesueseve, Vllaznisë i duhet të masë forcat në Lushnjë; Shkumbini pret Apoloninë, për tri pikë që në letër duken të lehta. Ndeshja do të shënojë edhe debutimin e teknikut serb të fierakëve, Esad Karishik. Në përballjen e fundit, Teuta pret Bylisin, që nuk humbet prej katër javësh. Të dielën, Elbasani i shumë problemeve (bojkoti i tifozëve dhe vonesa e pagave janë dy më kryesorët) pret Tiranën, ndërkohë që Dinamo luan në fushën e saj me Flamurtarin.

Superiore

Dje

Besa-Partizani 0-0

Sot

Lushnja-Vllaznia

Shkumbini-Apolonia

Teuta-Bylis

E diel

Elbasani-Tirana

Dinamo-Flamurtari

KLASIFIKIMI

N P

1. Tirana 9 19

2. Dinamo 9 16

3. Besa 10 16

4. Shkumbini 9 15

5. Vllaznia 9 15

6. Teuta 9 13

7. Elbasani 9 12

8. Flamurtari 9 11

9. Bylis 9 9

10. Apolonia 9 8

11. Lushnja 9 7

12. Partizani 10 6



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›