E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Duro, zyrtarisht trajner i Besës

Shpëtim Duro është zyrtarisht trajneri i ri i Besës. Ish-tekniku i Partizanit i dha fund të gjitha hamendjeve për të qëndruar apo jo me klubin e kuq të rrëzuar në Kategorinë e Parë. Duro ka marrë me vete edhe ish-kapitenin e Partizanit, portierin me përvojë Orges Shehi, një nga përforcimet më cilësore të presidentit Nexhat Bizhdili gjatë merkatos verore. Shpëtim Duro, një nga trajnerët prestigjiozë të kampionatit shqiptar, më parë kishte refuzuar ofertat e Vllaznisë e Tiranës, teksa në karrierën e tij si trajner, Besa do të jetë skuadra e peste e tij pas eksperiencave të mëparshme me Bylisin, Apoloninë, Dinamon e Partizanin.
Shpëtim Duro ka drejtuar edhe Kombëtaret U-17 dhe U-19, si dhe ka qenë ndihmës i ish-trajnerit të përfaqësueses kuqezi, Oto Bariç. Duro ka shërbyer edhe si vëzhgues i trajnerit të Kombëtares, gjermanit Hans Peter Brigel, ku ka ndjekur takiemt Çeki-Greqi dhe Greqi-Danimarkë. Besa gjatë sezonit të kaluar pati në drejtimin e saj tre trajnerë, Iliaz Haxhinë, Ilir Dajën dhe së fundi Ilir Biturkun, duke u renditur në vendin e shtatë me 40 pikë pas 33 ndeshjeve. Nga ana tjetër 31-vjeçari Shehi, i cili më parë ka mbrojtur portën e Teutës, Vllaznisë, Bylisit e Partizanit, njihet për cilësinë e tij si portier edhe eksperiencën e jashtëzakonshme, (aktivizohet që nga viti 1995) çka përkon edhe me synimet e Besës, duke qenë një armë e fortë në shërbim të trajnerit Shpëtim Duro. Me Besën pritet të nënshkruajë edhe sulmuesi Daniel Xhafaj, të cilit aktualisht i ka përfunduar kontrata me Tiranën. Vlonjati 33-vjeçar , i cili shënoi sezonin e kaluar 5 gola, ka luajtur më parë me Flamurtarin, Bylisin, Dinamon, Teutën e Tiranën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›