E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: Është zvogëluar prodhimi i drogës

Në botë është vërejtur një tendencë e zvogëlimit të prodhimit dhe përdorimit të heroinës, kokainës dhe kanabisit, por nga ana tjetër shihet rritje e përdorimit të ekstazit dhe narkotikëve sintetikë, thuhet në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar. Në raport thuhet se prodhimi i opiumit u zvogëlua në krahasim me vitin 2006. Shkaku kryesor për këtë është zvogëlimi i sipërfaqeve të mbjella në Afganistan, vend që prodhon 93 për qind të produktit botëror të opiumit.
Ndërkohë, prodhimi i kokainës në botë ra në nivelin më të ulët gjatë pesë viteve të fundit. Shkak kryesor edhe për këtë është zvogëlimi i sipërfaqes së tokës ku kultivohet kokaina, në Kolumbi, vend që prodhon gjysma e kokainës në rang botëror. Përdorimi i kokainës, tregu i së cilës vlerësohet në 50 miliardë dollarë, u zvogëlua në Amerikën Veriore dhe për herë të parë është stabilizuar edhe në Evropën Perëndimore. Situata është më e ndërlikuar lidhur me kanabisin. Prodhimi dhe konsumimi i drogës më të përdorur në botë u zvogëlua, por përqëndrimi i substancës aktive në këtë drogë (THC) është rritur.
Në raport thuhet se është vërejtur rritja e prodhimit të drogave sintetike në rajonin e lumit Mekong, në Azinë Juglindore, që po merr përmasa të industrisë masive. "Forcimi i luftës kundër drogës krijoi treg ilegal me përmasa makroekonomike, i cili shfrytëzon metoda të dhunshme dhe nxiti korrupsionin", deklaroi drejtori i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së për drogën, Antonio Maria Kosta. Ai nuk rekomandon legalizim të drogës sepse kjo do të përbënte një gabim historik.
"Droga është kërcënim për shëndetin, ndërsa lufta duhet të zhvillohet kundër kontrabandistëve e jo kundër shfrytëzuesve. Personat të cilët konsumojnë drogë kanë nevojë për ndihmë mjekësore dhe jo për masa ndëshkuese", shtoi Kosta

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›