Shpëtim Gjika shan policinë e Shtetit, “janë palaço, njerëz të inkriminuar, pa pikë morali”
Kryebashkiaku i Vlorës shpërthen pas incidentit në ndeshjen Flamurtari-Skënderbeu
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika duke dashur të mbrojë presidentin e Klubit të Skënderbeut që u dhunua nga një tifoz i Flamurtarit ka gjetur sebep për të sulmuar policinë e Shtetit. Në një prononcim për gazetat sportive, pas ndeshjes, Gjika tregon për incidentin, teksa akuzon ashpër Forcat e rendit, duke i cilësuar si të papërgjegjshme. “Policët janë palaço, të cilët vijnë të kalojnë kohën në stadium, për të parë ndeshjen dhe për të ngrënë fara, duke mos bërë detyrën e tyre që u takon në bazë të ligjit. Edhe ata janë njerëz të inkriminuar, pa pikë morali. Si mundet që një person ta shajë kryebashkiakun në sy të policisë? Për çfarë janë forcat e rendit, apo të vijnë të shikojnë ndeshjen dhe të hanë fara. Dola nga stadiumi dhe u thashë policëve që të merrnin masa. M’u përgjigjën se e çuan në polici autorin, por gënjyen”, u shpreh ai . Më pas kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika e ka shtuar dozën ndaj policisë së Shtetit, që sipas tij nuk kontrollonte dot tifozët vlonjatë. “Çfarë është kjo polici e degjeneruar! Çfarë duhet të bëj unë, të nxjerr jashtë gjithë stadiumin. Si do që t’ja vë çmimin biletës, prapë vijnë rrugaçë. Epo atëherë unë nuk mund të merrem me këtë kategori njerëzish”, u shpreh Gjika.