Eduard Kukan falënderon punën e qeverisë “Berisha” në proceset e integrimit të vendit

Lajmi/Një i pafytyrë që hiqet si promotor i integrimit
Një vizitë e cila fund e krye i është shndërruar në një bumerang politik Edi Ramës, por që për asnjë moment nuk reflekton pendesë, për atë që i ka shkaktuar vendit me opozitën e tij bllokuese. Brukseli i dha një leksion modern kryeministrit Rama, sigurisht duke i njohur atij edhe “meritat” e bllokimit 3-vjeçar të statusit të vendit kandidat – por njëherazi edhe duke insistuar fort se programi i qeverisë së re do jetë në përputhje me pritshmëritë e BE, për rrugën e integrimit të Shqipërisë
Edi Rama po zhvillon vizitën e tij të parë në Bruksel si kryeministër i vendit, i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Padyshim që një vizitë e nivelit të lartë, merr dhe rëndësinë e saj të veçantë, pasi në thelb, perspektiva kryesore e Shqipërisë, është ajo e integrimit në BE. Por, këtu çedon diçka. Kryetari i Partisë Socialiste, aktualisht edhe kryeministër, ka qenë një nga njerëzit më bllokues të integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Dhe këtë e demonstroi duke filluar nga protestat anti-NATO, bilbilat në Kuvend kur po ratifikohej marrëveshja e MSA Shqipëri-BE, alarmi i institucioneve të BE se nga liberalizimi i vizave drejt tyre do vërshojnë 1 milionë trafikantë, banditë dhe të papunë, e deri te bllokimi i statusit të vendit kandidat 3 herë radhazi. Të gjitha këto të shkaktuara nga një politikë konfliktuale dhe luftës për pushtet. Zgjedhjet e 2009-ës i rezervuan Edi Ramës as më shumë e as më pak, por thjesht dënimin me votë nga qytetarët, për të gjithë politikën e mbrapshtë të ushtruar prej tij që prej ardhjes në krye të PS. Duke mos u pajtuar me faktin e dështimit elektoral, Rama s’njohu qeverinë e dalë nga këto zgjedhje, edhe pse kishte një verdikt sovrani, shprehje të vullnetit të lirë, për ta lënë PS-në dhe Edi Ramën për një tjetër katër vjeçar në opozitë. Periudha 4-vjeçare 2009-2013, shënon edhe vitet kur Shqipëria përjetoi një nga konfliktet politike më të paprecedentë në historinë e pluralizmit, me një opozitë destruktive dhe ekstraparlamentare, gomadjegëse, zjarrvënëse dhe greviste. Situata agravoi edhe më tepër pas zgjedhjeve lokale të 2011-ës, të cilat shënuan formalisht në fakt edhe skarcitetin politik të Edi Ramës në Partinë Socialiste, por uzurpimi i PS nga rrjeti i sekserëve dhe klientelistëve e mbajti atë në politikë. Dhe sërish opozita destruktive e kryesuar nga Edi Rama, vazhdoi punën e saj, duke bllokuar integrimin në Bashkimin Europian, ndërsa u bë gazi i botës, për rrugën e ndjekur në përpjekjet për të rrëzuar një pushtet demokratik. Pasi i mohoi vendit 3 herë radhazi statusin e kandidatit, duke i hequr shqiptarëve miliona euro nga fondet e BE, Edi Rama lejoi deputetët e tij të votojë 3 ligjet e rekomandimeve të Komisionit Europian, vetëm 3 javë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Dhe këtë e bëri me një shenjë paturpësie të theksuar, duke i thënë shqiptarëve se “unë jam ai që iu bllokova rrugën e integrimit dhe do ta bëj një gjë të tillë sa herë të dua”. Zgjedhjet prodhuan një rezultat të diskutueshëm për mënyrën sesi u trajtua vota në disa qarqe, por që e nxirrte PS-në fituese dhe automatikisht i jepte të drejtën e qeverisjes së vendit, duke kaluar demokratët në opozitë. Edhe pse pikëpyetjet janë të mëdha për procesin zgjedhor të 23 qershorit, fakt është sot se Edi Rama është Kryeministër dhe jo më larg se dje ka zhvilluar vizitën e tij të parë në Bruksel, në vendin ku njihet si bllokatori më i tmerrshëm i perspektivës europiane të Shqipërisë. Guximi i tij për tu hequr si kryeministri i një vendi që aspiron integrimin dhe promotor i proceseve integruese, është sa groteske aq edhe revoltuese në vërtetësinë e asaj që i është shkaktuar vendit gjatë 3 viteve të fundit. Ndonëse, eurodeputetët sikurse edhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule e pohuan me plot gojë se Shqipëria s’ka kohë për të humbur dhe se përshpejtimi i proceseve integruese, është politika që duhet ndjekur, pas 3 viteve bllokim dhe mohim të statusit të vendit kandidat. Në rastin konkret, përballë këtyre fakteve kokëforta në institucionet e Brukselit, Edi Rama jo vetëm duhet të skuqej, por njëherazi tu kërkonte ndjesë publike shqiptarëve për opozitën destruktive dhe ekstraparlamentare, gomadjegëse, zjarrvënëse dhe greviste që demonstroi përgjatë 4 viteve radhazi. Dhe kjo është jo pak, por me risk të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit, çka ka bërë që, edhe sot e kësaj dite, Shqipëria të mos jetë një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Eduard Kukan falënderon punën e qeverisë Berisha”, në proceset e integrimit të vendit/Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan priti dje në një takim, kryeministrin Edi Rama ku në fokus të takimit ishin sfidat e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit evropian. Kukan garantoi mbështetjen e Parlamentit Europian, ndërsa u shpreh se qeveria duhet të vijojë me përmbushjen e reformave. Një vlerësim të veçantë, Kukan dha për qeverinë “Berisha”, teksa u shpreh se kursi i reformave të ndjekura qeveria e PD, bëri që Shqipëria të ketë një dritare të çelë drejt BE-së.