Shpëtim Gjikës, këshilla të vyera për 2012
facebook.com/bledi.mane
Si je kryebashkiak, me festat si mu gëzove?
Pive Norga të kuqe apo raki Sevasteri? Vitin e ri si ma filluat andej nga Vlora apo ende jeni të dremitur nga pushimet?
Të të pyes për rrugën Levan-Vlorë e di që do të më justifikohesh e do të më tregosh me gisht nga Olldashi dhe Fahro Balliu duke mos marrë asnjë përgjegjësi stërzgjatjeje mbi veten.
Të të pyes për gjendjen skandaloze të portit, doganës dhe tragetit të Brindizit përsëri do të ngresh supet e do hedhësh vështrimin nga Tirana.
Universiteti publik “Ismail Qemali”, pavarësisht se mbetet një nga më primitivët në kurikula, mësimdhënie dhe nivel studentësh, ti i dashur Shpëtim përsëri do të bërtasësh fort duke më thënë: Bashkia ime nuk ka lidhje me institucionet arsimore universitare!
Spitalin e qytetit ua ka kërkuar Hollywood-i ku do të xhirojë disa sekuenca të një filmi horror me pamje nga Lashkar -gah-u i Afganistanit, e ti Shpëtim sërish do të më këshillosh të flas me Tit Vasilin e shëndetësisë së Lësëisë.
Të të pyes çfarë po bën policia në zbulimin e vrasësve të gjykatësit Skerdilajd Konomi, reagimi yt do të jetë rrufe: Jo policia bashkiake, por policia kriminale e shtetit merret me të.
Në rregull i dashur kryebashkiak mustaqelli, qetësohu e merre shtruar.
Si qytetar i kësaj republike, si taksapagues, gazetar e votues gëzoj të drejtën të të këshilloj pakëz në këtë vit jubilar:
Vlora jote ka mbetur ende oazi i vetëm bregdetar ku natyra nuk është përdhosur makutërisht. Pas shkërdhimit dhe shpartallimit të Durrësit dhe Sarandës ku qenia humane ka jashtëqitur jo vetëm analisht, por edhe mendërisht, Vlora po reziston me vështirësi. Të takon ty dhe vetëm ty ti rezistosh edhe halabakërisë së pushtetit edhe parave të ndyra që po gërryejnë bregdet e pyll. Jepi fund kongolëzimit dhe burundëzimit të qytetit tënd se ndryshe nga nevojtoret e tjera buzë Adriatikut e Jonit, Vlora nuk u përket vetëm lebërve, çamëve, lalucëve…
Vlora është qyteti ku bashkohen majtas a djathtas ideali dhe krenaria e një kombi dhe sa më e shëmtuar që bëhet Vlora, aq më i shëmtuar katandiset Atdheu në sy të planetit.
Të fillosh qysh tani përgatitjet për sezonin e ri turistik nuk është as snobizëm e as mendjelehtësi. Nuk është as harxhim kohe, por u bën parapritë edhe ujërave të bardha edhe atyre të zeza, edhe plazheve private edhe aty publike. Oriento e programo jetën e natës dhe axhenda e argëtimeve do të jetë më joshëse dhe njerëzia do e rezervojnë qytetit në advancë. Nxire Vlorën nga lokalizmat apo aldobumçizmat e turizmit primitiv dhe ndërkombëtarizo edhe folklorin, edhe kuzhinën, edhe ushqimin fantastik të detit, edhe ekzagjerimet shtesë që ka vetë turizmi.
Sistemo blloqet e banimeve dhe mësohu qytetarëve dhe bizneseve të lustrojnë më bukur mikpritjen. Njëkohësisht tregohu njerëzisë se ironinë tipike dhe ngacmimet pa shkak nuk janë më në axhendën e turizmit evropian dhe “dëtin le ta shajë kushdo” pa gajle se aty do të vinë çdo vit.
Çmimet e produkteve dhe paketave turistike publikoi dhe mbaji nën kontroll se abuzimet e përvitshme do të ta sarandizojnë Vlorën e kur të bëheni pishman as kosovarët e Durrësit nuk do të vijnë me suxhuk me vete prej Podujeve a Medvegji.
Lëre, varja politikës këtë vit se përsëri sherre kurvërore do të ketë. Bën mirë ti përkushtohesh qytetit dhe komunitetit se pa ua bërë qejfin jeni i vetmi qytet ku ende merret frymë dhe ende betonizimi nuk ka mbytur blunë e detit dhe gjelbërimin mesdhetar.
Pasi të ketë përfunduar sezoni, andej nga fundi i shtatorit i dashur Shpëtim të sugjeroj të marrësh pushime të gjata e të relaksohesh për qejfin tënd. Kthehu nga fundi i tetorit në Vlorë dhe fillo përgatitjet titanike për festimit e përvjetorit të 100 të indipendencës.
Zbukuroma dhe gëzoma Vlorën se ky Shekull Pavarësie do të na mbledhë nga çdo cep i Shqipërisë së madhe. Të mërkurën e 28 Nëntorit 2012 valëvite flamurin kuqezi në emër të të gjithë neve dhe në Sheshin legjendar të Flamurit tregohu i vëmendshëm.
Ka vendosur të na deformojë historinë, ka vendosur të vjedhë vëmendjen dhe piedestalet e heronjve. Kujdes se në Vlorë do tu vijë me Jozefinën dhe Presidentin më të ri kukull Astrit Patoz Kavajsin. Kujdes Shpëtim, po të paralajmëroj. Kur gjatë fjalimit do të fillojë të shajë e mallkojë kundërshtarët, ti mos hezito por tërhiqe zvarrë e largoje nga podiumi.
Mos hezito, por bëja si më 1997 dhe përplasja në fytyrë:
-Të qifja udhët, larg nga Vlora se je bërë bajat. Nuk e bën dot vezën e Isa Boletinit!…
Do e shikosh- edhe vetë heronjtë e mermerosur të pavarësisë do të të përulen me respekt.
