E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes në Itali Xhevat Hana, prokurori i çështjeve VIP

Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare prokurori i Krimeve të Rënda, Xhevat Hana. Prokurori i njohur ka shërbyer si këshilltar i ish-presidentit Alfred Moisiu duke u rikthyer sërisht në detyrë në organin e akuzës në vitin 2005. Xhevat Hana mësohet të ketë qenë i shtruar në një spital në shtetin fqinj, Itali pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ndërkohë që ai do të mbahet mend për ngjarjet e bujshme në të cilat ka përfaqësuar akuzën e shtetit. Xhevat Hana ka qenë pjesë e akuzës ndaj çështjes së Myrteza Çaushit (Zanit) si dhe në çështjen e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Gjtihashtu ai ka perfaqesuar organin e akuzes edhe ne ceshtjen Durres-Kukes gjate kohes kur minister i transporteve ishte Lulzim Basha. Ai do të mbahet mend si një nga zyrtarët e paktë që i ka qëndruar deri në fund çështjes së Remzi Hoxhës së zhdukur që më 1995 nga shërbimi sekret shqiptar. Gjithashtu, Xhevat Hana njihet si dhe një nga zyrtarët i cili jo vetëm nuk e ka braktisur çështjen e bujshme por ka insistuar në ekstradimin nga Anglia e ish-agjentit të SHIK-ut Ilir Kumbaro drejt vendi tonë. Ai e rihapi çështjen Remzi Hoxha duke e ridërguar atë para drejtësisë shqiptare me katër të pandehur. Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë shprehu dje për mes një deklarate për shtyp ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të prokurorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›