E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtoni ushtaren Ina Rama!

Mirela Kumbaro 

Nuk e njoh Ina Ramën. Dëgjova për të ditën kur u zgjodh Prokurore e Përgjithshme e vendit tim. Isha shumë skeptike. Nuk e fsheh. Pse, ju jo? Kishte gjithçka duhej për ta paragjykuar. Erdhi në krye të organit të akuzës pas një sage shumë të gjatë të paraardhësit të saj, ku kriza e mosbesimit dhe farsa, krimi i pazbulur dhe manipulimi politik, show parlamentar dhe patetizmi partizan ishin mpleksur kaq keq sa që s’kishte telenovelë që t’ia kalonte. Nëse ajo pati guximin për ta pranuar atë rol duke i dhënë kështu fund serialit të Prokurorisë, kjo u përkthye si mendjelehtësi në rastin më të mirë dhe si kompromis i shëmtuar politik dhe institucional në rastin më të keq. Shto këtu që ajo ishte e re në moshë, e panjohur për publikun tashmë të stërvitur me personazhet e politikës televizive, bionde, e pashme dhe me një emër aspak tradicional.
Megjithatë më erdhi shumë mirë kur dëgjova disa zëra të etur për ndryshim, për ajër të ri, për fytyra të emancipuara, për mendje të hapura e të padhunuara nga diktatura, që bënë thirrje për të mos paragjykuar njeriun që po pranonte ndoshta një nga rolet më të vështira në skenën e një demokracie në ndërtim. Nuk e njihja Ina Ramën. Por u përpoqa ta gremis mosbesimin që na karakterizon si popull dhe që më së shumti na i mban gjallë klasa jonë politike që vetë e votojmë. U kapa pas shpresës se një figurë femërore në një vend të egër do të sjellë ndryshim, se një grua e re në atë post, pa hije e paranoja, është veçse një hap pozitiv, dhe fundja, pa ta shohim një herë, i thashë vetes, sa do ia dalë ta gjuajë topin në këtë fushë historikisht mashkullore dhe që ka pjellë veç konflikte.
Në fillim, - ju kujtohet? - të gjithë prisnim me padurim ta shihnim nëpër ekrane a gazeta të na thoshte ndonjë gjë, që të kuptonim se cila ishte kjo juriste e re aq e përfolur dhe e panjohur. Të tjerët ç’nuk thanë… Ndërsa ajo nuk tha asgjë. Mori detyrën e re me një buzëqeshje të përmbajtur që aparatet fotografikë ia vidhnin sa herë i duhej të nxirrte kokën nga zyrat e Prokurorisë dhe heshti duke na kujtuar se donte t’ia linte fjalën ligjit. Në vend të saj foli Kryeministri. Ajo është Silvia Konti, tha ai.
Fjala jote në vesh të Perëndisë, thashë. Po a kishte parë vallë Perëndia filmin me Komisar Katanin? E ç’rëndësi kishte. Ajo që kishte rëndësi ishte që kryeministri e kishte parë filmin, që e pëlqente Silvia Kontin dhe që ishte plotësisht i motivuar të na bindte se nëse deri në atë kohë “dosjet e krimit” nuk ishin zbardhur, se nëse korrupsioni nuk po e lëshonte vendin, se atij si kryetar i ekzekutivit i duhej të ndërhynte dhe në sistemin e drejtësisë, kjo ndodhte se organi i akuzës kishte qenë i kapur dhe se tani ky institucion do të luante rolin që i cakton e drejta dhe do të zinte vendin që i jep Kushtetuta në një shoqëri demokratike. Dhe se ne të tjerët kishim ende arsye të besonim se nuk bëmë keq kur nuk u larguam nga Shqipëria as në 97’ e as më vonë.
Nuk e njihja Ina Ramën. Por ajo filloi të bëhej e njohur me heshtjen e saj, duke dashur ndoshta të na edukojë me një format të ri të profilit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke na kujtuar se detyra e Prokurorit nuk është të flasë orë e çast në publik për çdo shashkë politike që i hidhet miletit për t’i marrë mendjen, por t’ia lerë foltoren ligjit edhe kur bie bomba. Dhe çfarë bombe se! Shpërthim si ai i Gërdecit që na bëri të kuptojmë se jetojmë mbi mina… Vdekje si ajo e të ndjerit Trebicka që na kujton se sa të pasigurt jemi… Dosje si ajo e rrugës Durrës-Kukës që na fut dyshimin se ku shkojnë paratë tona… Personazh si ai i Fazlliçit që po na trazon keq stomakët… Kanë qenë këto disa nga titujt që kanë sjellë në qendër të vëmendjes, jo Ina Ramën, unë atë nuk e njoh, por Prokurorinë. Dhe nëse ajo e arriti këtë, unë them se ajo duhet të jetë një ushtare e vërtetë e ligjit dhe e institucionit që ka marrë përsipër.
Nga ana tjetër mendoj se është një krenari për shoqërinë shqiptare, që me gjithë historinë e shkurtër të  modernitetit të saj, me gjithë dhunën e vazhdueshme mbi femrat e veta, me gjithë erërat e egra mashkullore të skenës së saj politike, dhe aspak për hir të kuotave gjinore që hipokrizisht po i shtohen legjislacionit në prag të vitit zgjedhor, arrin të nxjerrë në poste të rëndësishme drejtuese figura femërore ambicioze, paçka se shprehen me “plumb ballit” apo në emër të ligjit.
Nuk e njoh Ina Ramën. Di që Ina Rama është sot organi i akuzës, di që ajo është pikërisht numri i telefonit të cilit duhet t’i bjerë qytetari kur ndjehet viktimë, është zyra që duhet të luftojë krimin, korrupsionin, dhunën, abuzimin. Por ka kohë që institucioni që ajo drejton është bërë shënjestër sulmesh që vijnë çuditërisht jo nga fronti klasik i krimit, por andej prej ku ajo u pagëzua si Silvia Konti.
Tromaksen njerëzit kur shohin se si njohës shumë të mirë të ligjit, qëmtojnë brenda tij për të gjetur kurthet e vogla që kanë për qëllim të zënë brenda pikërisht atë që ka për detyrë parësore të ndalë e të çojë para drejtësisë ujqërit e krimit. Mileti çoroditet kur sheh se si, politikisht dhe mediatikisht, luhet para syve të tij realitydrama e drejtësisë shqiptare. Çdokush do të dridhej nga ideja se një ditë mund t’ia sjellë fati të ketë nevojë për të trokitur në dyert e drejtësisë e të shtetit e nuk di nëse do e presë komisari-bodyguard i biznesmenit aq të përfolur, por mik i kryeministrit apo Kushtetuta që thotë se “ligji është i njëjtë për të gjithë”… Nuk ka më zi se sa kur njerëzit humbin çdo besim te shteti… të gjithë e dimë se ç’domethënë kjo…
Njerëzit po shpresojnë që nervi i respektimit të pavarësisë së institucionit të Ina Ramës të mos ketë vdekur përfundimisht në këtë vend, që Ina Rama të mos e humbasë buzëqeshjen e përmbajtur të ushtarit që i ka dalë për zot llogores së vet. Unë nuk e njoh Ina Ramën. Por unë e mbështes fort atë. Sepse nuk dua të pendohem që vendosa t’i rris fëmijët e mi në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›