E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Topalli bojkotojnë Presidentin

 

Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bojkotojnë sërish presidentin Topi. Marrëdhëniet e acaruara së fundi mes qeverisë dhe institucioneve të pavarura, duket se kanë ndikuar që edhe këtë herë krerët e lartë të këtyre dy institucioneve nuk kanë shkuar në ceremoninë e organizuar nga kreu i shtetit. Burime nga Presidenca bënë të ditur për gazetën se, ky institucion u kishte dërguar nga një ftesë Berishës e Topit për të marrë pjesë në dorëzimin e detyrës së kryeinspektores së deklarimit të pasurive, Fatmira Laskaj, tek i sapozgjedhuri në këtë post, Adriatik Llalla. Por ndërsa kryetarja e Kuvendit ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit, kryeministri Berisha ka zgjedhur të jetë pjesë e aktiviteteve me rastin e nisjes së vitit të ri akademik. Kjo nuk është hera e parë që dy krerët e lartë të shtetit nuk marrin pjesë në ceremonitë e zhvilluara nga presidenti Topi. Për herë të fundit një gjë e tillë ndodhi në betimin e ministrit të ri të Punës dhe Çështjeve Sociale, ku përveç tyre munguan dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ndërkohë që ky fenomen u përsërit edhe në fund të muajit korrik kur në kabinetin qeveritar u bënë disa ndryshime. Hera e fundit kur kryeministri Berisha ka qenë në Presidencë ka qenë pikërisht 11 korriku kur i është dhënë shtetësia shqiptare shqiptaro-amerikanit Granof. Në ceremoninë e zhvilluar dje në Pallatin e Brigadave presidenti Topi, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës, vlerësoi punën dhe rezultatet e arritura nga ky Inspektorat nën drejtimin e Fatmira Laskajt dhe trajtoi me dy bashkëbiseduesit tema të veçanta të punës së këtij institucioni relativisht të ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›