E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: U godit biznesi,hetim ndërkombëtar për Damir Fazlliç

 

BLEDAR HOTI

Çështja “Fazlliç” do të hetohet nga ekspertë ndërkombëtarë, si dhe një komision hetimor që do të ngrihet në Kuvend për marrëdhëniet ministri- prokurori. Këtë e bëri të ditur dje kryeministri Sali Berisha gjatë një konference të posaçme për shtyp, pas disa ditë përplasjesh të qeverisë me institucionin e Prokurorisë. “Qeveria vendos të kërkojë hetim ndërkombëtar për problemet e dala ditët e fundit. Ky vendim nuk merret, në mënyrë absolute, për morinë e shpifjeve dhe trillimeve të pafundme ndaj cilitdo person”, u shpreh kreu i qeverisë para mediave. Sipas tij, arsyeja e parë për të cilat qeveria po ndërmerr këtë hap është që të zbardhet nëse qeveria i ka dhënë qoftë edhe një qindarkë nga fondet publike biznesmenit Fazlliç, të konsiderohet sikur ai ka përfituar shuma të mëdha. Së dyti, sipas Berishës, ky hap ndërmerret pasi këto ditë është goditur biznesi shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Sipas kreut të maxhorancës, kjo nuk është hera e parë që kërkohet hetim ndërkombëtar për një çështje. Berisha bëri të ditur se, një gjë të tillë kishte kërkuar edhe për shpërthimin tragjik të Gërdecit dhe aksidentin e Kosta Trebickës. “Të njëjtën gjë kam bërë edhe në rastin e aksidentit të z. Kosta Trebicka, sepse z. Trebicka pati meritën e padiskutueshme të denoncimit të aferës së Diverolit dhe për rrjedhojë, ishte e domosdoshme që vdekja e tij të zbardhej në tërësinë e vet. Ministri i Brendshëm, të cilit unë i dhashë urdhër që t’u kërkonte agjencive të vendeve mike që të vijnë dhe të hetojnë këtë ngjarje, më informoi se një kërkesë të tillë e ka bërë Prokuroria e Përgjithshme. Në këtë rast i kam kërkuar ministrit që të mos vazhdojë më tej, pasi tashmë ishte marrë vendimi i duhur”, u shpreh Berisha. Duke iu referuar rastit të fundit, për urdhrin me telefon nga ana e Prokurorisë për ndalimin në aeroportin e Rinasit të biznesmenit Fazlliç, kreu i qeverisë theksoi se këto veprime politike do të marrin përgjigjen që meritojnë. “Unë kam këtu sot dy deklarata të dy oficerëve të Policisë së Shtetit, të cilëve, në datën 8 tetor u është kërkuar me telefon të ndalojnë shtetasin Damir Fazlliç, me një urdhër verbal, në dhunim të të gjitha ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Këto kërkesa u janë parashtruar atyre nga prokurori Shtylla dhe prokurori Mazreku”, u shpreh më tej kreu i qeverisë.
Dekreti
Duke iu rikthyer veprimit që do të ndërmarrë qeveria, për kryerjen e një hetimi ndërkombëtar, Berisha u shpreh se së shpejti do të dalë dekreti që inicion këtë hap. “Qeveria do të procedojë me dekret për këtë vendim, pasi ky është një problem i ngutshëm. Ajo do të bëjë dekretin për të kërkuar hetim ndërkombëtar. Kjo nuk do të thotë aspak se do të përjashtohen nga hetimi prokurorët shqiptarë. Kategorikisht jo! Kjo do të thotë që në hetim do të marrin pjesë dhe prokurorë të huaj”, theksoi Berisha. I pyetur nga gazetarët lidhur me detajet e këtij dekreti kreu i qeverisë tha se, “Është e drejtë e qeverisë të thërrasë hetim ndërkombëtar dhe qeveria do ta bëjë këtë. Prokuroria shpresoj ta mirëpresë këtë veprim dhe unë uroj që ta mirëpresë. Nuk po kërkoj transferim të çështjes tek hetues ndërkombëtarë, por po kërkoj një grup hetimor së bashku me hetuesit shqiptarë, siç është një praktikë rutinë e ndjekur në shumë vende. Ky grup do veprojë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë. Kushti kryesor i tij është bashkëpunimi me Prokurorinë, pasi ai nuk mund të bashkëpunojë me qeverinë”. Përveç hetimit ndërkombëtar, në Parlament sipas kreut të ekzekutivit do të ngrihet edhe një komision hetimor, i cili do të hetojë përplasjen mes këtyre institucioneve. “Parlamenti do të krijojë një komision hetimor parlamentar. Kjo, jo për dosjen përkatëse, sepse ligjet e vendit nuk lejojnë as ndërhyrjen më minimale në një çështje që është në hetim, por Parlamenti do të ndalet në marrëdhëniet e krijuara midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme”, bëri të ditur më tej kreu i qeverisë. Në fund Berisha shtoi se, “Unë nuk mbroj absolutisht asnjë njeri, por unë mbroj parime që janë të çmuara për çdo qytetar shqiptar dhe investitor vendas apo të huaj. Unë nuk mbroj Fazlliç, pasi ai i ka të gjitha hapësirat për të bërë mbrojtjen e tij, por mbroj dy parime që janë themelore për një vend të lirë. Këtë do ta realizoj, sado që të kushtojë, koston e këtij hetimi qeveria do ta përballojë në emër të interesave më të mëdha të vendit”.  

Berisha, replika me Metën, Malajn e Braçen

Sali Berisha: Opozita rreh kundër hetuesve ndërkombëtar se ka frikë se Berisha nesër do t’i përdorë ata për krime të tjera, dhe ata do nxjerrin se ai atje nuk quhet Erion Braçe por Erion Dondollaku, ai tjetri nuk quhet Arben Malaj por Arben Cenaj, ai tjetri në fund nuk quhet Ilir Meta por Ilir Floriri, ai tjetri atje nuk quhet Engjëll Bejtja por Engjëll Armo-ja e kështu me radhë dhe me radhë. Kryetari juaj që nuk do të quhet Edi Rama, por do quhet Edi Gina.
Arben Malaj: O Sali Gërdeci rri aty. E shikon publiku se çfarë kryeministri ka. Ka një njeri që vjen e shpifën dhe ikën tërë frikë. Ai erdhi me duar të pastra dhe iku me duar të përlyera.
Erion Braçe: Shpreh keqardhjen që kryeministri nuk ka kurajon të rrijë në sallë. Është fare e vërtetë që kryeministri nuk mund të qëndrojë dot në këtë sallë, as si deputet i thjeshtë i këtij vendi. Kryeministri në këtë sallë mund të vijë thjesht si i pandehur i 1001 fakteve dhe dokumenteve.
Ilir Meta: Nuk më pëlqen të replikoj me njerëz, të cilët nuk kanë kurajo të qëndrojnë për t’u përballur me akuzat që ata bëjnë. Është mëse e turpshme që Sali Berisha sot që është kryeministër pas 3 vitesh akuzon njësoj si në kohën kur ishte në opozitë. Mendoj se ai ka një farë të drejte pasi për fat të keq kapja që i ka bërë disa kolegëve në opozitë i jep luksin për t’u lutur dhe për mocion mosbesimi, sepse e di shumë mirë që pas 21 prillit nuk duhen vetëm 71 për të hequr Sali Berishën nga kjo qeveri, por duhen edhe 71 vota të tjera, që para se të hiqet Saliu për atë që do ta zëvendësonte. E siguroj se ai do të përgjigjet para drejtësisë për të gjitha edhe për floririn e Kërrabës, që e vodhi vetë në 1997 dhe që më pas kërkoi t’ua faturonte të tjerëve. Do përgjigjet edhe për floririn që i ka dhënë Fazlliçit dhe Fazlliçëve.
Engjëll Bejtja: Ne që e kërkojmë fjalën atëherë kur ka diçka për të thënë nuk na e jepni. Meqë kryeministri pa dashur të mi rrisë vlerat ose aksionet e mia te ARMO, më e pakta këtë do ta quaja lajthitje se ndoshta mund të ketë ndonjë tjetër që ka më shumë aksione.

Dhoma e Tregtisë: Prokuroria arbitrare, bllokoi dy firma shqiptare

Çështja “Damir Fazlliç”, duket se po i kushton shumë edhe firmave të tjera shqiptare. Të paktën ky është mendimi i përfaqësuesve të biznesit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, ka shprehur dje protestën e vet, lidhur me vendimin e Prokurorisë për ngrirjen e llogarive bankare dhe aseteve të dy firmave nga Prokuroria. Sipas njoftimit të djeshëm, i cli i është dërguar edhe të gjitha ambasadave të huaja dhe institucioneve në Tiranë, Prokuroria ka bllokuar punën dhe ka prishur imazhin e biznesit të dy firmave që nuk kanë lidhje me biznesmenin Fazlliç. “Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Tiranë bën publike veprimet arbitrare dhe me pasoja të prokurorëve, që po hetojnë për pronat e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç. Pas ankesave që ka marrë rezulton se në ngutje e sipër prokurorët Besnik Cani dhe Dritan Reshka kanë urdhëruar edhe bllokimet e llogarive dhe pasurive të bizneseve të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje. Si rezultat është urdhëruar në mënyrë abuzive me vendimin e Prokurorisë të Tiranës i datës 09.10.2008 dhe me nr. protokolli 6093 bllokimi i llogarive bankare të kompanisë “Global Construction” sh.a. dhe asetet e kompanisë “Megatek” sh.a., duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale dhe morale për to. Dhoma e Tregtisë e Tiranës i kërkon Prokurorisë së Tiranës të zhbllokojë këtë situatë, të cilën ne e konsiderojmë absurde dhe të heqë sa më parë sekuestron për këto dy kompani, pasi me këtë veprim cenohet rëndë klima e biznesit dhe garancia e investitorëve vendas. Dhoma e Tregtisë si institucion përfaqësues i biznesit i kërkon prokurorëve të punojnë konform ligjeve në fuqi, për raste të ngjashme kur bizneseve të ndershme u shkaktohen përveç dëmeve materiale edhe një dëm akoma më i madh moral. Nisur nga ky rast Dhoma e Tregtisë do të iniciojë një rishikim të bazës ligjore që rregullon këto marrëdhënie për të krijuar një kuadër sa më preciz në këtë drejtim dhe për të evituar përsëritjen e këtyre ngjarjeve në të ardhmen”.

Ina Rama: S‘tërhiqemi, jemi të pavarur

Trazhgim Sokolaj

Pas një jave që shënoi përplasje të forta mes dy dikastereve në varësi të qeverisë dhe institucionit të drejtuar prej saj, krye-prokurorja Ina Rama është kundërpërgjigjur ashpër. Me një gjuhë të mbushur plot referime në Kushtetutën e vendit, drejtuesja e akuzës shqiptare tha se Prokuroria nuk ka ndërmend të tërhiqet. Duke iu referuar tentativës për kontroll me forcë në Prokurori nga Ministria e Drejtësisë, dhe kallëzimit penal të Ministrisë së Brendshme ndaj dy prokurorëve të dosjes “Fazlliç”, Kryeprokurorja tha se mbrojtja më e mirë që Prokuroria mund t’i ofrojë vetes është ligji dhe zbatimi i tij. Në mënyrë indirekte ajo u dha përgjigje edhe akuzave për falsifikim të dosjes së hapur në Prokurorinë e Tiranës ndaj biznesmenit boshnjak, duke thënë se “detyra e Prokurorisë është të ushtrojë ndjekjen penale, duke e mbështetur veprimtarinë dhe vendimmarrjen për vënien para përgjegjësisë penale vetëm mbi prova të mbledhura në përputhje me ligjin”. Kryeprokurorja vijoi më tej duke pohuar se veprimtaria e organit të akuzës dhe konkluzionet e nxjerra prej tij gjatë hetimeve që zhvillohen duhet të jenë të mbështetura vetëm në prova e në ligj, të pandikuara nga influenca jashtëligjore apo nga presione të çfarëdolloj forme qofshin ato. “Në kushtet kur e gjithë kjo veprimtari përplas organin e akuzës me shkelësit e ligjit apo dhe cenon interesa të subjekteve të ndryshme që operojnë në shoqërinë shqiptare edhe më gjerë, mbrojtja që ky organ mund t’i ofrojë vetes së tij është ligji dhe vetëm zbatimi i ligjit”, tha më tej Ina Rama. Ajo mblodhi vartësit e saj në prokuroritë e gjithë rretheve të vendit në një analizë 9-mujore për punën e bërë nga organi i akuzës. Një analizë e tillë nuk ka qenë në traditën e Prokurorisë vitet e shkuara, megjithatë Kryeprokurorja dha mesazhin e fortë në një kohë kur raportet e Prokurorisë me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Drejtësisë, nuk janë në ditët e tyre më të mira. Duke iu referuar përcaktimeve kushtetuese për Prokurorinë si institucion i pavarur, Prokurorja e Përgjithshme tha se, “ushtrimi i ndjekjes penale ndaj kujtdo që dyshohet se ka kryer një vepër penale është jo vetëm e drejtë e organit të akuzës, por edhe detyrim ligjor”. Kryeprokurorja paralajmëroi se “askush nuk mund të ndëshkohet në rast se nuk ka kryer një vepër penale, por të mos harrojmë se detyra jonë funksionale është që kushdo që ka kryer një vepër penale të mos shpëtojë nga vënia para përgjegjësisë ligjore”. Ajo u kujtoi vartësve se kanë zgjedhur të jenë prokurorë dhe kjo do të thotë se duhet të përballojnë me vendosmëri çdo pengesë që mund të hasin në punë, duke respektuar në çdo rast Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi. Në mesazhin e saj, Kryeprokurorja kujtoi se vendi ndodhet në një moment me rëndësi për integrimin në NATO dhe në BE dhe se pavarësia e funksionimi i sistemit të drejtësisë janë me rëndësi jetike në këtë proces. Ina Rama u kërkoi vartësve të hetojnë me vendosmëri krimin e organizuar, atë ekonomik dhe korrupsionin, duke kërkuar kurajën e nevojshme për të goditur fenomenet e mësipërme, pavarësisht se në cilat struktura shfaqen ato, përfshi këtu edhe vetë sistemin e drejtësisë.

Analiza, të ndëshkohen “gabimet” nga policia

TIRANE – Pasi ka dhënë mesazhin e saj, Kryeprokurorja u kërkoi gazetarëve të dalin nga salla për të vazhduar analizën e punës me vartësit e saj në rrethe. Me dyer të mbyllua për rreth tri orë është marrë në analizë puna e bërë gjatë 9 muajve të këtij viti për periudhën janar-shtator. Mësohet se gjatë analizës janë dalluar prokurori rrethesh me tregues pune të mirë, megjithatë edhe prokuroritë e rretheve me probleme serioze në punë nuk kanë qenë të pakta. Në analizë është kërkuar që Prokuroritë e Shkallës së Parë t’i vlerësojnë mirë veprimet e policisë dhe të mos hezitojnë marrjen e masave ndëshkuese në rastet e gabimeve apo mosveprimeve, si rasti i fundit i biznesmenit Fazlliç në Rinas, ku Prokuroria pretendon për mosveprim të policisë. Në analizë gjithashtu është kërkuar që Prokuroritë e Apelit të marrin rolin e kontrollorit, vlerësuesit, por edhe të kritikut për punën e Prokurorive të Shkallës së Parë dhe dosjeve të këtyre prokurorive që rezultojnë me probleme në gjykatë.                                          t.s   

Lejohet inspektimi i Prokurorisë,por jo për dosjen e Damir Fazlliç

TIRANE - Prokuroria u jep leje inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë për të kontrolluar dokumentacion në institucion, por jo dosjen e Fazlliç. Burime nga akuza e kryeqytetit pohuan dje se kanë pranuar kërkesën e inspektoratit të ministrisë për të kontrolluar dosjet hetimore, të cilat janë mbyllur, pushuar, shpallur moskompetenca apo dërguar për gjykim, ndërsa dokumentacioni i çështjes ndaj biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i cili ka edhe shtetësi britanike, nuk u është lejuar inspektorëve. Prokuroria ka argumentuar refuzimin me faktin se ligjet parashikojnë inspektimin e dosjeve të Prokurorisë gjatë kohës që materialet ndodhen në duart e prokurorëve, të cilët nuk janë shprehur me një vendim në lidhje me këtë çështje. Gjithsesi edhe pas pranimit të kërkesës deri mesditën e djeshme, inspektorët e ministrisë nuk ishin paraqitur ende në organin e akuzës për të kontrolluar, ndërsa të premten dhe të shtunën e javës së kaluar kërkesa e punonjësve të ministrisë për të ushtruar kontroll në dokumentacionin e Prokurorisë, që nga një shtatori i këtij viti shkaktoi përplasje. Ndërsa ministria ka pohuar zyrtarisht se kërkesa e inspektoratit është depozituar në Prokurorinë e Tiranës në orën 15:45 të së shtunës, kur është protokolluar sipas ligjit. Ndërkohë burime pranë hetimit të çështjes së Fazlliçit, i akuzuar për “pastrim të produkteve të krimit”, pohuan dje se asnjë prej 24 institucioneve shtetërore dhe private nuk u kishte kthyer përgjigje kërkesës së tyre për verifikimin e pasurive apo veprimeve ekonomike të kryera nga biznesmeni serbo-boshnjak në Shqipëri. Gjithashtu organi i akuzës ka pohuar se verifikimi për llogari të tyre në mjaft institucione pritet të zgjasë disa ditë, pasi mjaft prej tyre punojnë ende në regjistra fizikë letre dhe procedurat marrin mjaft kohë. Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet që bankat të dorëzojnë në Prokurori të dhëna mbi llogaritë bankare të Fazlliçit apo kompanive të tij, si dhe faktin nëse ekzistojnë transaksione bankare.                               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›