Enveri, një ditëlindje për të ndryshuar imazhin e diktatorit
rojter/ GJIROKASTER
Mbështetësit e zjarrtë të diktatorit të fundit stalinist në Shqipëri, Enver Hoxha, i janë bashkuar djalit të tij për të festuar përvjetorin e 100-të të lindjes të hënën, me shpresën se historia një ditë do ta përmirësojë imazhin e tij tashmë të përbaltur. E veja e Hoxhës, Nexhmija dhe djali i tij, Iliri, dëshironin të mirëprisnin vizitorët brenda banesës së gurtë trekatëshe ku ai kishte lindur, por autoritetet refuzuan t’u lejonin atyre të përdornin shtëpinë që tani shërben si muze etnografik i qytetit.
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i quajti festimet monstruoze dhe të turpshme. “Ai ka persekutuar, internuar, burgosur dhe ekzekutuar një të katërtën e shqiptarëve. Përpjekjet për të festuar 100-vjetorin e diktatorit shërbejnë për të legjitimuar terrorin, barbarizmin, skllavërinë dhe izolimin që ai iu ka imponuar shqiptarëve”.
Grafitet në të kuqe që tregonin yllin komunist të Hoxhës, akronimin e Partisë Komuniste të drejtuar nga Hoxha, emrin e tij dhe ditëlindjen, gjendeshin në të gjithë Gjirokastrën. Disa ishin lyer me të bardhë sipër apo të rishkruara me bojë të zezë për t’u mbuluar nga kritikuesit.
“Të gjithë që kanë mbërritur këtu dhe shumë njerëz të tjerë kudo kanë thënë gjëra pozitive, por media i ka censuruar ato. Mendoj se është e pakuptimtë që ata kanë frikë nga një diktator i vdekur”, tha Ilir Hoxha për “Reuters”. “Fuqia e tij nuk është ajo që paraqitet në media, por ajo që ai ka bërë për popullin e tij, për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, grekët etnikë dhe shqiptarët çamë në Greqi”.
I pyetur nga reporterët nëse familja ndihej fajtore për represionin dhe persekutimin e regjimit të Hoxhës, Iliri, i cili në të kaluarën ka kaluar vite në burg pasi mbrojti të atin, tha: “Çdo gjë ka ndodhur sipas ligjeve”.
Enver Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 dhe pasi drejtoi rezistencën në Luftën II Botërore, qeverisi Shqipërinë për 40 vjet si një nga shtetet më tiranike dhe të izoluara në botë. Ai vdiq më 11 prill 1985. Ai ka shkatërruar xhami e kisha dhe ka frenuar besimin, ka mbyllur kufijtë dhe në periudhë paranoje ka ndërtuar mijëra bunkerë betoni rreth bregdetit të Adriatikut dhe Jonit.
Sot shumë shqiptarë e dënojnë regjimin e Hoxhës si një periudhë të errët. Edhe pse ende gjerësisht rural, vendi ka parë rritje të shpejtë ekonomike dhe ka pasur bum në ndërtime gjatë viteve të fundit, ndërsa përpiqet të arrijë nivelin e kombeve të pasura evropiane.
Në Gjirokastër, mes këngëve dhe fjalimeve kundër sfondit të një pikture të madhe të jetës së Hoxhës, dhjetëra mbështetës e brohorasin atë për ndryshimin e Shqipërisë nga një vend feudal në një komb të zhvilluar me shkolla dhe edukim pa pagesë.
“Po, ndonjëherë ushqimi ishte me racion, por të gjithë kishim mjaftueshëm”, tha Sofie Halo, 73 vjeçe, e cila kishte mbërritur në tubim duke mbajtur një foto të vjetër të Hoxhës dhe qau kur takoi djalin e tij. “Tani ne kemi gjithçka, por unë nuk kam para dhe nuk guxoj të dal për të pirë një kafe”.
Ilir Hoxha: Policia nuk na e lë shtëpinë, kafen e pimë në Tiranë
GJIROKASTER - Komunistët nuk kanë mundur dot të pinë kafen e premtuar nga Ilir Hoxha, në shtëpinë e lindjes së ish-udhëheqësit komunist. Ishte paralajmëruar që vizitat e dhjetëra simpatizantëve të mbërritur nga e gjithë Shqipëria me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, të ndërmerreshin në godinën trekatëshe, tashmë muze etnografik. Por djali i Enver Hoxhës, Ilir Hoxha, i ka lënë me gojë hapur të gjithë enveristët gjatë një fjalimi të mbajtur para shtëpisë, ku i njoftonte se kafen e premtuar për ta pirë në shtëpinë e të atit, do ta shijonin në Tiranë. “Më vjen keq që ndodhën në këtë mënyrë gjërat, por nuk është faji ynë që nuk na lejojnë për të pirë kafen e traditës brenda shtëpisë, por është policia ajo që na e ndaloi një gjë të tillë”, u shpreh Ilir Hoxha para dhjetëra simpatizantëve të ish-liderit komunist. Djali i madh i Enver Hoxhës ka qenë mjaft konfuz në deklarimet e mëpasshme për mediat për të dhënë një shpjegim të saktë, se cili ishte penguesi kryesor i pritjes së paralajmëruar në odën e miqve në banesën e Enver Hoxhës. “Shkoni dhe pyesni kryetarin e Bashkisë”, është shprehur Ilir Hoxha. Ndërkohë vetë kreu i Bashkisë, Flamur Bime, ka krijuar mundësinë e organizimit të vizitave në ambientet e brendshme gjatë një takimi para 20 ditësh mes tij dhe vetë Ilir Hoxhës. Nga ana e saj, policia e Gjirokastrës përmes zëdhënësit Gentian Mullai, ka hedhur poshtë çdo insinuatë të ngritur ndaj uniformave blu, pasi, sipas tij, policia nuk është në dijeni të kësaj ngjarjeje dhe është plotësisht jashtë saj. Edhe drejtuesit e muzeut të Gjirokastrës si dhe të Policisë Bashkiake kanë shprehur qëndrime të njëjta përsa i përket pretendimeve të lindura nga ana e Ilir Hoxhës për pengesë nga ana e institucioneve bashkiake apo dhe policore. Komunistët duket se nuk janë lejuar të kryejnë vizita dhe të bisedojnë në ambientet e brendshme të shtëpisë, pasi kjo godinë prej 17 vjetësh është shndërruar në Muze Etnografik dhe si rrjedhojë është pronë e shtetit dhe, sipas ligjit, nuk lejohet kategorikisht që në të tilla institucione kulturore të organizohen veprimtari politike. Tri javë më parë, Bashkia e qytetit të Gjirokastrës ka miratuar kërkesën e shtetasit Ilir Hoxha për të vënë në dispozicion të familjes së diktatorit Enver Hoxha dy dhoma të Muzeut Etnografik dhe kjo u krye pas një takimi me kryebashkiakun. Dhjetëra simpatizantë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, kryesisht nga Vlora, Skrapari, Kavaja dhe Elbasani, me lot në sy janë kthyer mbrapsht, duke marrë premtimin e djalit të madh të Enver Hoxhës për t’u parë në Tiranë në një tubim madhështor pas pesë ditësh. p.n