E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, LSI: Protesta në Tiranë, Bruksel e Strasburg

 

Aristir Lumezi

Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëroi protesta popullore në mbrojtje të zgjedhjeve dhe votës së shqiptarëve. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili, akuzoi dy partitë, PD-PS se po monopolizojnë administrimin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. “Manifestime të qytetarëve që duan votën e lirë do të bëhen edhe përpara institucioneve ndërkombëtare në Tiranë Bruksel e gjetkë me bindjen e palëkundur se ose do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri ose Shqipëria nuk ka më nevojë për masakra të reja zgjedhore, që vetëm shkatërrojnë vendin, sigurinë e qytetarëve dhe pasurojnë kastën e pangopur që grabit e përvetëson paratë, jetën dhe gjithçka në Shqipëri”, tha Vasili.
Sipas tij, reforma zgjedhore ka hyrë në një proces diskutimi kulimash dhe mungese transparence në bashkëpunim të ngushtë mes bashkëkryetarëve të komisionit të reformës zgjedhore. “LSI dënon bashkëpunimin kriminal PD-PS kundër zgjedhjeve të ndershme që ka filluar që me bllokimin e qëllimshëm për një vit rresht të komisionit Rusmajli-Islami, me heqjen e KQZ si institucion kushtetues dhe me bllokimin e vazhdueshëm e funksionimin e fshehtë, jotransparent dhe në kulisa të komisionit aktual famëkeq Rusmajli-Xhafa”, tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së shprehet se faktori ndërkombëtar është paralajmëruar për këtë rrezik dhe për këtë arsye shqiptarët dhe ndërkombëtarët do të sensibilizohen përmes protestave qytetare dhe kontakteve me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. “LSI do të jetë në krye të të gjithë protestave ndaj përgjegjësve të prishjes së zgjedhjeve Rama-Berisha dhe së bashku me qytetarët dhe njerëzit e thjeshtë së të gjithë Shqipërisë do t’ua djegë të gjithë skenarët ogurzi për vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve. Protestat e qytetarëve që e urrejnë vjedhjen dhe manipulimin e votave te tyre, të udhëhequra nga LSI do të drejtohen në radhë të parë kundër fajtorëve kryesorë dhe të vetëm Rama e Berisha si mbështetës dhe frymëzues të drejtpërdrejtë të manipulimit e prishjes së zgjedhjeve”, u shpreh Vasili. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së heqja e KQZ-së si institucion kushtetues dhe bllokimi i vazhdueshëm i funksionimit të komisionit të reformës zgjedhore tregojnë paramendimin e uzurpimit të rezultatit zgjedhor nga PD dhe PS.

Alarm për cenimin e ri të Kushtetutës

Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës shpreh shqetësimin për ndryshimet e reja kushtetuese, që pritet të ndodhin për çështjen e imunitetit të deputetëve. KMK jep alarmin për një tjetër rrezik që kërcënon demokracinë e brishtë shqiptare pas disa iniciativave të ndërmarra nga PD, por të mbështetura kohët e fundit edhe nga përfaqësues të PS në Kuvend, për të ndryshuar përsëri Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nën pretekstin e kufizimit të imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu, KMK shpreh shqetësim edhe për “reformën në drejtësi, pjesë e së cilës është edhe përpjekja e qeverisë për të vënë nën kontroll prokurorinë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›