Tragjedia e Gërdecit në këndvështrimin e medias ndërkombëtare
Konfuzion të dhënash në mediat e huaja për shpërthimet
Tragjedia e ndodhur ditën e shtunë është pasqyruar në mënyrë të rrufeshme nga të gjitha mediat e huaja, të cilat kishin të dhëna tejet kontradiktore në lidhje me bilancin e kësaj ngjarjeje. Pjesa më e madhe e tyre i referoheshin Reuters, AP dhe AFP. “Katër të vdekur dhe 170 të plagosur”. Ky është titulli i lajmit të njoftuar nga CNN amerikan, i cili i referohet “The Associated Press”. Ndërsa “The Washington Post” citon raportimin e korrespondentit të Reuters në Shqipëri. Titulli i lajmit është “Dyshohet për dhjetëra të vdekur nga shpërthimet e depos”. Lajmi shton se mes viktimave të kësaj ngjarjeje mund të ketë edhe specialistë amerikanë. “Dyshohet për rreth 160 të vdekur dhe të plagosur nga shpërthimi në Shqipëri”, - shkruan britanikja “The Guardian”. Raportimi i bërë nga “Anushka Asthana” citon deklaratat e Berishës, zëdhënëses së tij Juela Meçani dhe drejtuesit të zyrës së shtypit në Ministrinë e Brendshme, Avni Neza.
Ndërsa AFP-ja thotë se mbi 150 civilë dhe ushtarakë janë plagosur dhe kanë gjetur vdekjen. “Tronditet Shqipëria nga shpërthimi gjigant”. Ky ishte titulli i medias më të fuqishme britanike, BBC. Ajo raporton për katër të vdekur dhe rreth 200 veta të plagosur. “4 të vdekur dhe 170 të plagosur në shpërthimin në Shqipëri”, - shkruan “Wall Street Journal”, e cila bazohet në raportimin e bërë nga “Associeted Press”. Ajo shkruan: “Një shpërthim masiv në një depo municionesh në afërsi të Tiranës shpërtheu të shtunën, duke vrarë të paktën katër veta dhe plagosur më shumë se 170 të tjerë, përfshirë edhe fëmijë”.
Agjencia shtetërore italiane e lajmeve ANSA shkruan: “Bilanc tragjik i shpërthimeve në Tiranë”. Sipas saj, “katër të vdekur dhe 200 të plagosur”. Ky është bilanci provizor i shpërthimit të depos së armëve në Shqipëri. Kryqi i Kuq ka lëshuar një apel për dhurim gjaku, për të kuruar të plagosurit, të cilët vazhdojnë të mbërrijnë në spitalin e Durrësit dhe atë të Tiranës. Shumica e të plagosurve është në gjendje shoku. Ndërsa “TGCOM” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë ngjarjes së djeshme tragjike të ndodhur në Tiranë. Në artikullin e agjencisë së MEDIASET-it raportohet për shpërthimet e njëpasnjëshme të depove të armëve në afërsi të Vorës. “Dhjetëra të vdekur. Shumë prej tyre mund të jenë ushtarakë amerikanë që punonin në depo. Shpërthimet kanë shkaktuar 155 të plagosur, midis tyre edhe një 60-vjeçar italian. Dëshmitarët kanë treguar se kanë parë një re të madhe tymi që është përhapur nga vendi i shpërthimit”, - thuhet në artikullin e TGCOM. Më tej kjo agjenci i është referuar zëdhënëses së qeverisë, Juela Meçani, e cila ka deklaruar: “Nuk e dinim saktësisht numrin e të vdekurve, por i druhemi së keqes për tre skuadra, secila prej 21 personash, të cilat kanë qenë duke punuar te depot në momentin e shpërthimit. Disa prej tyre ishin shtetas amerikanë”. E përditshmja italiane “Corriere” thotë: “Supershpërthimi: Ferr në Shqipëri, dhjetëra viktima”. Ajo vijon: “Një tragjedi pa kufi. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, nuk ka deklaruar shifra për shpërthimet që ndodhën në mesditë në një depo armësh në Vorë, 12 km në veri të Tiranës. Por ai tha se numri i viktimave është i lartë, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare”. Dyshohet që viktimat mund të jenë mbi 60. Deri tani trupat pa jetë të gjetur janë 6, midis tyre edhe një fëmijë. Rreth 200 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Së fundi ajo u referohet burimeve nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë, e cila bën të ditur se “nuk ka pasur ushtarakë italianë të prekur nga ky incident”.
Ndërsa edicioni europian i lajmeve të kanalit arab “Al Jazeera” ka për headline: “Shpërthimet e fuqishme tronditin kryeqytetin shqiptar”. Sipas saj, “të paktën 155 veta, përfshirë edhe shumë fëmijë, janë plagosur nga shpërthime të fuqishme të municionit të një depoje të ushtrisë në afërsi të Tiranës, kryeqytetit të vendit”.
“Konfirmohen katër të vdekur nga shpërthimet në depon e municioneve”, - raporton agjencia kineze “Xinhua”.
17 Mars 2008