Ide në kabinën publike
Jean ROUSSELOT
Herëpashere është mirë të ndjekësh të parën makinë varrimi që vjen, të përqafosh familjarët dhe miqtë e të vdekurit dhe të hash me ta patate të skuqura, me të dalë nga varreza.
Nuk është keq, gjithashtu, që nganjëherë t’ia nisësh vrapit nëpër turmë, sikur të të jetë qepur këmba-këmbës ndonjë vrasës, të zigzagosh nga njëra rrugë në tjetrën duke përmbysur mbas vetes kosha e griha dhe duke ndërruar disa herë taksi, të shkosh e të fshihesh në ndonjë periferi të largët me emrin “Zoti Pjer”.
Si dhe të këshillosh, pa dalë nga shtëpia, gjasmimin e gjigantizmit, të ndryshimit të seksit apo të shenjtërisë.
Telefoni
Çdo natë, në këtë kabinë publike që ndriçon ballinat e mbyllura dhe rrapet e raskapitura nga pagjumësia e përhershme.
Do mund të bisedoje për orë të tëra me Nju Jorkun apo skëterrën pa u shqetësuar prej askujt e pa vonuar askënd.
Të mbyllesh atje veçse për t’u kredhur në prehje shpirtërore në dritë të plotë duke pritur automobilin e dhembshur që do të vijë, në agun e nuk di se ç’dite, e të na mbledhë si një pikth të harruar në një kallëp akulli.
Ulërima
Nganjëherë në mes të natës, po aq zgjuar sa ditën kur s’ke mundur të hysh në shtëpinë tënde, ngaqë të vdekurit kishin ndërruar fjalëkalimin, vendos të ulërish në shtratin ku ndodhesh i vetëm.
Sikur, me këmbë e duar lidhur, të shihje se afrohej një sharrë ose maja kuqëluese e cigares.
Por më kot ulërin aq mirë e aq fort sa mundesh, asnjë dorë përdëllimtare, e katandisur kështu, nuk ia beh nga asgjë.
Për të qenë i sigurt se po jeton ende, do duhet të presësh kthimin e përditshëm të hetuesve dhe rifillimin e bastisjes së tyre të amshtë, që do të zgjasë po aq sa ne.
Në fresk
Me të rënë nata, kur vizitori i fundit ka nisur të ikë duke ia marrë këngës, me fshesëzën dhe poçet e tij të zbrazura,
Të vdekurit, në këmisha, dalin në fresk në portën e varrezës, duke pirë cigare që zgjatin shumë.
S’është nevoja t’i mbykëqyrësh. Askush nuk kërkon t’ia mbathë.
Karnavalet e Nisës
(Për Luan Starovën)
I rrëzuar mbi trotuar, me gishtin tregues të nderur drejt anës së errët të jetës, ajo dorashkë gruaje e ka ruajtur aq mirë formën e dorës që humbi.
Le ta mbledhin me po aq përkujdesje, sa një trëndafil apo kandil deti dhe le ta shtrijnë, në mungesë të shiltes, mbi një parmak paksa fisnik, larg tritonëve dhe lojëfjalëve.
Por nuk kemi për të shpëtuar paq, sepse mu në atë çast, krejt nga një anë tjetër, ia beh një grua që ulërin duke tundur drejt nesh, si një barbarozë, dorën e saj të prerë.
Përktheu Alket Çani
17 Mars 2008