E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnisti fiskale edhe për qytetarët

15/02/2010  Konfindustria i kërkon qeverisë që të zgjerojë “hartën e përfituesve”
Buxhuku: Gjithpërfshirja do t’i japë oksigjen ekonomisë shqiptare
Pas hapjes së dritës jeshile për fillimin e amnistisë fiskale për biznesin, Konfindustria shqiptare kërkon që brenda saj të përfshihen edhe qytetarët. Në një njoftim për shtyp, administratori i Konfindustris, Gjergj Buxhuku, deklaroi dje se është e nevojshme që amnistia të përfshijë edhe vetë qytetarët. “Konfindustria, me cilësinë e nismëtarit të kryerjes së amnistisë fiskale, shpreh domosdoshmërinë e përfshirjes në proces në mënyrë të njëkohshme të kategorisë së biznesit dhe qytetarëve pa përjashtim”, deklaroi Buxhuku. Sipas tij, duke parë mënyrën e krijimit të të ardhurave dhe funksionimit të sistemit ekonomik shqiptar në gjithë periudhën kohore 20-vjeçare, mënjanimi nga amnistia fiskale e qytetarëve do të thotë praktikisht dështim të procesit ende pa filluar. Qëllimi i ndërmarrjes së nismës ishte pikërisht hapja e një kanali të ri oksigjeni financiar në ekonominë shqiptare pikërisht në kohën kur pasojat e krizës globale tashmë na kanë prekur ndjeshëm dhe qartë. “Janë pikërisht të ardhurat në zotërim në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit dhe që do të mund të futeshin në sistemin tonë bankar dhe ekonomik, që ishin pasur parasysh nga Konfindustria në marrjen e vendimit për nismën e amnistisë fiskale”, theksoi ai. Sipas Buxhukut, qytetarët shqiptarë janë pikërisht kategoria, që për vite me radhë nuk iu është dhënë mundësia e deklarimit ligjor të të ardhurave të tyre sikurse ndodh në të gjithë vendet demokratike të rajonit dhe BE, ndërkohë që bizneset sidoqoftë e kanë pasur me kohë një mundësi të tillë. Para disa ditësh, qeveria dhe komuniteti i biznesit ranë dakord për të ndërmarrë një nismë ligjore, e cila do të ketë në bazë të saj amnistinë fiskale. Për këtë qëllim u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët përfaqësues të komunitetit të biznesit, Ministrisë së Financave, akademikë dhe deputetë të Komisionit të Ekonomisë. Drejtuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, theksuan se kjo amnisti duhet të jetë e plotë, çka presupozon shumë legalizim asetesh, amnisti për detyrime që kanë të bëjnë me borxhin tatimor apo doganor të paqartë, apo shuarjen e detyrimeve tatimore për pasurinë e vënë në vite, në kohën kur kuadri ligjor dhe administrativ tatimor nuk ishte as i plotë dhe as i konsoliduar. Shqipëria mbetet i vetmi vend në Evropë përfshi këtu edhe vendet e BE-së, që nuk ka kryer asnjë amnisti fiskale të vërtetë. Me amnistinë fiskale në fund të vitit 2009 Italia përfitoi afër 100 miliardë euro të hyra në sistem, ndërkohë që sikundër vendet e zhvilluara të BE-së, në mënyrë të rregullt në çdo 2-3 vjet ka një vend kryen amnisti fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›