Shpresa Beçaj: Rastit “Kumbaro” i dhamë prioritet mes 6 mijë çështjeve
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj rrëzon pretendimet e Ardian Hoxhës, djalit të Remzi Hoxhës për zvarritje të vendimin për masën e arrestit të Ilir Kumbaros. “Gjykata e Lartë dhe anëtarët e saj në shqyrtimin e kësaj çështjeje zbatuan me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjin”
Tiranë Katër ditë pas letrës së hapur, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj nëpërmjet një deklarate për mediat ka rrëzuar pretendimet e djalit të biznesmenit të zhdukur, Remzi Hoxha për vonesa të qëllimshme nga ana e kësaj gjykate. Duke folur në emër të institucionit që drejton, zonja Beçaj ka deklaruar se Gjykata e Lartë e ka trajtuar me përparësi çështjen e masës së sigurimit të Ilir Kumbaros, duke i dhënë prioritet mes 6000 çështjeve të regjistruara në këtë gjykatë. Në deklaratën për mediat, kryetarja e Gjykatës së Lartë mohon në mënyrë kategorike një lidhje mes vendimit të kolegjeve të bashkuara dhe arratisjes nga Londra të Ilir Kumbaros, pasi sipas saj, masa e sigurisë “arrest me burg” ishte në fuqi pas vendimit të formës së prerë të Apelit për Krime të Rënda. “Ndryshe nga sa pretendohet, Gjykata e Lartë është investuar për çështjen në fjalë konform ligjit dhe procedurave ligjore, për më shumë se një herë dhe, duke parë problematikat ligjore që paraqiste çështja, ka treguar kujdesin maksimal për të respektuar nje proces të rregullt ligjor dhe pa paragjykuar asnjë nga palët në të drejtat e tyre themelore”- thotë në deklaratën e saj zonja Beçaj. Më tej ajo sqaron se çështja në fjalë është trajtuar me kujdesin maksimal të vetë kryetares së gjykatës, duke marrë kështu në vlerësim rëndësinë reale të çështjes dhe problematikat proceduriale të konstatuar gjatë shqyrtimit të saj në Kolegjin Penal. “Çështja kaloi me përparësi gjykimin në Kolegjet e Bashkuara, midis 6000 çështjeve të regjistruara në atë kohë pranë kësaj gjykate. Megjithatë, për të arritur në vendimin përfundimtar, i cili e la në kushtet e arrestit me burg të pandehurin Ilir Kumbaro, duke e konsideruar si një masë të përshtatshme dhe në përputhje me rrezikshmërinë shoqërore si të vepres dhe të autorit, Kolegjet e Bashkuara të kësaj gjykate kanë punuar hap pas hapi për të krijuar mundësitë ligjore e teknike në mënyrë që të realizohej një gjykim i drejtë e i paanshëm”- thuhet në deklaratë. Duke komentuar akuzat se arratisja e Ilir Kumbaros erdhi për shkak të vonesës në zbardhjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, Beçaj thotë se nuk ka asnjë lidhje shkaksore me procedurat e ndjekura në shkallën më të lartë të gjyqësorit shqiptar. “Gjykata e Lartë sqaron opinionin publik, se pasoja e ardhur, arratia e shtetasit Ilir Kumbaro, nuk ka asnjë lidhje shkakësore me procedurat ligjore dhe administrative të detyrueshme që kanë të bëjnë me çështjen në fjalë. Vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda Nr 5 datë 05.01.2010 i cili vendosi lënien në fuqi të vendimit Nr.154, datë 15.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Pare të Krimeve të Rënda në lidhje me masën së sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Ilir Kumbaro, objekt shqyrtimi në Kolegjet e Bashkuara, është vendim i forms së prerë. Ekzekutimi i ketij vendimi nuk është pezulluar nga ana e Gjykates se Lartë”-thuhet në deklaratë. Sipas saj, vendimet unifikuese që jepen nga Kolegjet e Bashkuara kërkojnë një arsyetim më të argumentuar, më të detajuar dhe me përgjegjësi, në mënyrë që ato të jenë produkt i një interpretim të drejtë dhe korrekt të ligjit, pasi ato kane vlere jo vetëm për paleët në gjykim, por shërbejnë dhe si praktikë gjyqësore për të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë. “Për sa parashtrohet më sipër, në lidhje me pretendimet e Z. Ardian Hoxha për të “urdhëruar një hetim dhe procedim penal për Kryetaren e Gjykatës së Lartë dhe Kolegjin Penal ” të kësaj gjykate, theksojmë dhe një herë se: Gjykata e Lartë dhe anëtarët e saj në shqyrtimin e kësaj çështjeje dhe dhënien e këtij vendimi, kanë zbatuar me përpikmëri vetëm Kushtetutën dhe ligjin”- përfundon deklaratë e kryetares së Gjykatës së Lartë. Ky reagim erdhi pas një letre të hapur dërguar nga Ardian Hoxha, djali i biznesmenit të zhdukur 16 vite më parë, i cili i kërkonte Presidentit të Republikës të urdhëronte hetim për kryetaren dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët sipas tij qëllimisht kanë vonuar zbardhjen e vendimit për arrestin e Ilir Kumbaros, i cili u arratis në Londër një ditë para vendimit për ekstradimine tij në Shqipëri.