E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, Nishani: Strukturat e shtetit brenda misionit, drejtësia të gjykojë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 08-01-2012 13:13

Ministri i Brendshëm ka komentuar dy prej çështjeve kryesore të vitit të kaluar, demonstratën e 21 janarit dhe vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. “Sulmi ndaj institucioneve kushtetuese, veprimtari kriminale”

Tiranë Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka rikonfirmuar qëndrimin e tij dhe të institucionit që ai drejton për ngjarjet e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë dhe u plagosën me dhjetëra punonjës policie e gardistë. “Të gjitha strukturat e shtetit që u angazhuan në mbrojtjen e rendit publik, institucioneve dhe sigurisë kanë përmbushur misionin e tyre. Tashmë i takon drejtësisë të gjykojë mbi veprimet e aktorëve të përfshirë në sulmin ndaj institucioneve kushtetuese”, - tha ministri i Brendshëm. Duke bërë një përmbledhje të punës së Ministrisë së Brendshme dhe policisë për vitin e shkuar, Nishani është ndaluar edhe në dy ngjarje të rënda që u shënuan vitin e shkuar: vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, e cila pas katër muajsh mbetet ende e pazbardhur dhe pa autor, si dhe demonstrata e 21 janarit, që përfundoi me katër viktima. Ministri i Brendshëm tha se, lidhur me ngjarjen ku mbeti i vrarë gjyqtari Skerdilajd Konomi, policia ka përcjellë në prokurori informacione të rëndësishme lidhur me këtë ngjarje. Nishani konfirmoi deklaratën e bërë menjëherë pas ngjarjes, duke thënë se policia ka ofruar gjithë ndihmën e nevojshme për këtë ngjarje si dhe është e gatshme ta bëjë në vazhdimësi këtë gjë. “Policia për aq kompetenca sa ka, kryesisht në mbledhjen e provave të para në vendngjarje, ka përcjellë prova, por edhe informacione, të cilat ne i gjykojmë se janë të rëndësishme për grupin hetimor që kryesohet dhe drejtohet nga zyra e prokurorit përkatës, për të çuar drejt zbardhjes së kësaj ngjarje, që mbetet një ngjarje e rëndë”- tha ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Ai konfirmoi gatishmërinë e policisë për bashkëpunimin me strukturat e tjera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. “Policia e Shtetit mbetet e gatshme për të ofruar të gjitha kapacitetet e saj më të mira profesionale në shërbim të grupit hetimor, për të ndihmuar, informuar dhe adresuar çdo çështje që do të jetë e gjykuar për t’u plotësuar nga ana e policisë, nga ana e grupit hetimor apo ana e prokurorit që merret me këtë çështje”,- tha Nishani. Një tjetër ngjarje e rëndë e shënuar në fillim të vitit të shkuar është edhe demonstrata e 21 janarit, që përfundoi me katër të vrarë. Më 21 janar mbushet një vit nga ngjarja e rëndë, afat kohor ky që kushtëzon hetimet e prokurorisë. Duke folur për këtë ngjarje, ministri i Brendshëm tha se sulmi ndaj institucioneve kushtetuese është një veprimtari kriminale. “Unë e kam shprehur edhe më parë që organizimi dhe veprimtaria për të sulmuar institucionet kushtetuese të vendit në mënyrë të dhunshme, është padyshim një veprimtari kriminale. Por kjo çështje është tashmë në hetim nga prokuroria dhe natyrisht është drejtësia ajo që duhet të japë vendim përfundimtar dhe duhet të gjykojë veprimet e të gjithë aktorëve, të cilat ishin prezent në sulmin që iu bë institucioneve kushtetuese të vendit më 21 janar”- deklaroi ministri Nishani. Gjatë fjalës së tij, Nishani foli gjithashtu për hetimet që po vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë në falsifikimin e dokumenteve të personave që kërkonin azil me argumentin e gjakmarrjes, si dhe prioritetet kryesore për vitin 2012, mes të cilave ishte parandalimi i krimit dhe ndryshimet në legjislacion për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë nga biznesmenët e huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›