Vihen nën kontroll universitetet publike, për të shtuar fitimet në universitetet private
Ligji aktual i Arsimit të Lartë ka nevojë për ndryshime, dhe sidomos për të përshtatur më mirë ciklet shkollore universitare e pasuniversitare me sistemin e Bolonjës dhe për një autonomi financiare vetëvepruese për universitetet publike, për t’i bërë ato konkurruese në tregun aktual universitar. Natyrisht që kjo duhet të shoqërohet edhe me sistemin e dekoncentrimit të pushtetit akademik e financiar deri në njësinë bazë, që është Departamenti.
Por ndryshon puna me draftin aktual të ndryshimeve që kërkohet t’i bëhen këtij ligji. Jo vetëm nuk ofrohet ndonjë autonomi financiare apo dekoncentrim pushtetesh, por vihet re një tendencë e dukshme e forcimit të kontrollit të ministrisë së Arsimit ndaj universiteteve publike, që është e rrezikshme për disa arsye.
Së pari, pas 20 vjet pluralizmi idesh, partish, praktikash institucionale dhe kulturash, shoqëria shqiptare është duke ecur drejt decentralizimit dhe shpërndarjes së pushteteve dhe jo centralizmit të tij. Duket anakronike kjo tendencë, por më tepër naive dhe foshnjore, një pasion fillestarësh, që sapo ulen në një karrige, mendojnë se e meritojnë atë, madje e meritojnë vetëm ata. Dhe fillojnë e besojnë se do të jenë të përjetshëm në atë vend e zënë e grumbullojnë rreth vetes apo rrëmbejnë sa më shumë të drejta, kompetenca, pushtete, fitime etj.
Së dyti, pas dy dekadash praktike demokratike dhe tranzicioni drejt shoqërisë së hapur, është e vështirë të pranosh se këto janë veprime fillestarësh. Më tepër duken si plane pragmatiste biznesmenësh. Dhe po të vëresh me kujdes, deri tani nuk është hedhur ndonjë hap konkret për fuqizimin e autonomisë së universiteteve publike, por më tepër është thelluar natyra fitimprurëse e universiteteve jopublike, që janë vetëm private. Mjafton të përmendim heqjen e TVSH-së për këto universitete, duke siguruar një financim të drejtpërdrejtë të shtetit për pronarët dhe aksionerët e tyre, duke i favorizuar ato në raport me kompanitë e tjera të biznesit dhe në raport me institucionet publike të arsimit të lartë. Madje në projektin aktual të ndryshimeve në ligj nuk janë parashikuar ndryshime dhe përmirësime për kompanitë private universitare. Për më tepër ato po përgatiten që të financohen më tej nga qeveria.
Duket sikur projekti aktual i ndryshimeve në ligj synon të kufizojë pushtetin e rektorëve dhe dekanëve. Por në të vërtetë ata ende nuk e kanë autonominë e nevojshme të drejtimit të institucioneve të arsimit të lartë. Dhe për më tepër, decentralizimi apo dekoncentrimi i pushtetit universitar nuk mund të bëhet duke e centralizuar atë në dorën e ministrit të Arsimit, që ndryshon vazhdimisht, por duke e transferuar më poshtë, në departamente, ku bëhet puna e qëndrueshme akademike dhe shkencore.
Dhe në këtë rast, duke u zënë më tej frymën universiteteve publike, krijohet mundësia për të shtuar fitimet e pronarëve dhe aksionerëve të universiteteve private.
#