E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyshja e Bleonës: Mbesën e kanë rrëmbyer

Im bir gjeti një paketë cigareje pranë vendit ku rrinte vajza

Saide Mata, gjyshja e Bleonës 6-vjeçare, e zhdukur që prej 23 ditësh është e bindur që mbesa e saj është rrëmbyer. Sipas saj, policia ka humbur kohë duke kërkuar për 18 ditë nëpër bjeshkë. Në një intervistë për “Shqip” ajo rrëfen se i biri, Gramozi, kishte gjetur një paketë cigareje bosh, pranë vendit ku qëndronte Bleona përpara se të zhdukej:

Si është një ditë e gjyshes pa Bleonën e vogël?

Jemi shumë të mërzitur, nuk dimë çfarë të mendojmë më. Kërkimet janë bërë rutinë nga ku nuk del asnjë lajm i mirë, jo nuk e gjetëm sot, jo nuk e gjetëm nesër. Kështu edhe ne ndihemi të humbur, nuk ka më normalitet. Jemi përmalluar shumë për vajzën, ndaj ai që e ka të na e sjellë.

Kur thoni “ai që e ka le të na e sjellë” do të thotë që ju e ndjeni se është gjallë dhe e mban dikush, atëherë ku mund të jetë?

Ku mund të jetë? Malin e kemi kërkuar të gjithë dhe nuk kemi gjetur asgjë, kështu që në mal nuk është. Në mal nuk kemi gjetur asnjë send, apo shenjë të vajzës. Që nga dita që u zhduk aq papritur nuk ndihem mirë. E përcolla deri te porta, kur e morën vajzat e rritura në mal. Pas një ore na merr në telefon vajza ime e thotë: a mos erdhi Bleona në shtëpi, sepse këtu me ne nuk është? Ka shkuar vajza e madhe të mbledhë lopët e u ka thënë 4 vajzave të tjera: Ma ruani Bleonën. Kur u kthye pas disa minutave, ka pyetur ku është vajza, këto kanë thënë nuk e dimë; mos ka shkuar në shtëpi.

A nuk ju bën përshtypje fakti që 5 vajza të rritura kanë lënë vetëm një vajzë të vogël?

Ime bijë u ka thënë, po shkoj të kthej lopët e ma mbani pak këtë vajzën e vogël, por kur është kthyer, ka parë se vajza nuk është. Mos ka shkuar te shtëpia i kanë thënë. Ja xhupi dhe buka që ka qenë duke ngrënë. As në shtëpi nuk ka ardhur e as ujku nuk e ka ngrënë, sepse njerëzit bredhin nëpër mal dhe mbledhin lule apo kullotin bagëtinë, por nuk i ka ngrënë ujku. Kot kanë kërkuar nëpër mal gjithë ata njerëz, nuk e ka ngrënë ujku fëmijën.

A ju kujtohet ndonjë gjë e dyshimtë gjatë asaj pasditeje? Keni thënë se keni parë një person të panjohur që shkonte pas vajzave?

Po, e kam parë, fillimisht nuk mendova se duhej ta ndiqja, sapo i përcolla vajzat disa qindra metra përtej e pashë se ai shkoi pas atyre, por nuk më shkoi në mendje që ta ndiqja. Mendova se mund të ishte ndonjë nga ata tregtarët e fshatrave që vijnë në dyqanet e komunës. Ai nuk ishte i fshatit, kishte kthyer kokën që të mos e njihja. Një orë mbasi humbi Bleona, i tregova burrit dhe djemve se kam parë një djalë të dyshimtë. Pas kësaj djali im Gramozi, ka gjetur fare afër vendit ku ka qenë Bleona, në një dëllinjë, afër një guri, një paketë cigareje. Këtë ndoshta e ka lënë personi grabitës si një shenjë.

A ia keni treguar këtë detaj policisë?

Ia kemi treguar, por ajo prapë se prapë ka vazhduar kërkimet nëpër mal; atë e ka marrë dikush dhe nuk ka humbur në mal, jam e bindur.

Intervistoi: Sulejman Dida

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›