E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresë prej futbollit të dënuar

Një lloj shprese u pa për këtë futboll, fushat e të cilit janë dënuar e braktisur prej kohësh nga tifozët dhe ku disa prej sta-diumeve, gjithashtu të dënuar, janë të detyruar që t’i mbyllin dyert e tyre deri në fund të sezonit! Ishte shpresa që u shfaq në takimin midis dy kryesuesve të këtij kampionati në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Edhe pse vagëlluese në këtë mjedis të trishtë futbolli shqiptar, ndeshja Teuta-Tirana ishte e mjaftë për të nxitur e mbajtur gjallë entuziazmin e atyre pak tifozëve që ende besojnë tek loja e vërtetë dhe e ndershme. Sepse në të pati mbi të gjitha shpirt gare dhe sakrificë deri në fund, ndërkohë që për cilësinë e lojës duhet pritur ende, me shpresën gjithashtu se largësia e vogël mes pretendentëve për titull mund t’i japë më shumë shtysë asaj.
Tri-katër mijë spektatorët e pranishëm në një stadium si ai i Durrësit, ndaj të cilit indiferenca e vendasve ka qenë tipike gjithmonë, duhet parë gjithashtu si një shpresë e mirë, që vjen prej këtij futbolli deri tani të dënuar edhe nga ajo dhunë e shkarkuar mbi te gati për çdo javë. Sepse, jo vetëm që nuk u pa asnjë shfaqje nga ato të shëmtuarat gjatë javëve të kaluara, përkundrazi, mjedisi në përgjithësi festiv i shkonte atmosferës së bukur që dikur e shihnim aq shpesh në futbollin tonë. Ajo që mund të thuhet pa mëdyshje rreth kësaj ndeshjeje, është loja pa kompromis dhe gara e luajtur plot dëshirë mes të dyja skuadrave, gjë që në kampionatin tonë shihet pak si rrallë, për t’mos thënë se kjo lloj shfaqjeje po i ngjante atyre specieve në zhdukje e sipër! Për durrsakët natyrisht që ishte më se e domosdoshme për t’u paraqitur në nivel sa më të mirë, për shkak të fushës dhe spektatorëve të vet, si dhe për të vërtetuar edhe njëherë se jo më kot e mbajnë prej kohësh atë vend të parë në renditje, paçka se në fund nuk u shpërblyen për gjithshka bënë në atë 90 minutash. Gati i njëjti shkak e shtynte përpara edhe skuadrën rekordmene, 24 herë kampionen e vendit, madje me një forcë më të madhe për të sulmuar, në mënyrë që t’i rikthente vetes dhe “fanatikëve” të saj besimin në rikthimin e titullit të munguar që prej dy sezonesh. Ka qenë kjo lojë me stil sulmues e tiranasve, ku mbrojtja gjithsesi nuk kaloi asnjëherë në aventurë, ajo që e detyroi ekipin durrsak që të ishte nën presion të vazhdueshëm dhe të bënte disa gabime sidomos në prapavijë si dhe gjatë organizimit të lojës. Në këtë rast nuk mjafton vetëm dëshira që shfaq në lojë një skuadër, por edhe strategjia taktike si vendoset e luan ajo dhe si i zbaton detyrat e dhëna nga trajneri. Dhe këtu, më mirë se në çdo ndeshje tjetër u duk vlera përgatitore dhe drejtuese e spanjollit Huan Rubio, i cili ka gjithashtu meritën se mundi t’u japë lojtarëve në fushë shumëçka prej temperamentit karakteristik të vendit të tij, që në fakt ngjason paksa me ato vlera që vetë kjo skuadër ka përçuar nëpër vitet e suksesshme të historisë që ka shkruar.
Ndoshta është shpejt dhe nuk është tamam çasti për t’i bërë një analizë të hollësishme takimit në fjalë, megjithatë, duke qenë starti i një faze të re (dhe me këtë rast urojmë që të vazhdojë mbarë), si dhe duke përgëzuar dy pretendentet për lojën e mirë që paraqitën, qëllimi ishte për të vënë në dukje, sidomos, atë rreze drite apo fije shprese për të mirë që na u shfaq gjatë kësaj ndeshjeje, që në vetvete përbën atë që mund të quhet tani për tani një oaz në këtë tokë shterpë të futbollit të dënuar shqiptar, prej gjithë atyre ngjarjeve të shëmtuara e tashmë të shumëditura e të stërthëna, madje edhe prej vetë institucionit më të lartë sportiv evropian. Siç thuhet, se, fituesi gjithmonë ka të drejtë, Tiranës i takojnë edhe disa fjalë të tjera më shumë për këtë ndeshje ndaj Teutës, veçanërisht për atë se gjeti moralin e duhur për të harruar e lënë pas problemet e vështira dhe ende të pazgjidhura të organizimit dhe drejtimit të punëve në klub, duke vënë mbi gjithshka pasionin, ndershmërinë dhe krenarinë që fanella plot tituj kampioni ja jep kësaj skuadre sa herë që e thërret kushtrimi i të parëve.
Starti i fazës së dytë të kampionatit tashmë është dhënë me këtë shfaqje të bukur dhe mund të shërbejë si nxitje edhe për ndeshjet e tjera, për të gjitha skuadrat, si për ato që synojnë titullin, (dhe të tilla nuk janë vetëm Teuta dhe Tirana, por edhe Skënderbeu, Flamurtari, e pse jo edhe ndonjë tjetër, në se luhet po me këtë stil ndershmërie e pa kompromis), si dhe për ato që luftojnë për vende nderi apo mbijetesë. Drita jeshile është hapur që me takimin Teuta-Tirana...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›