Shpronësime për tre projekte infrastrukturore në Shkodër dhe Vlorë, mbi 31 milionë lekë kompensime

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar tre vendime për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projekteve infrastrukturore në Shkodër dhe Vlorë, me një vlerë totale kompensimi prej rreth 31 milionë lekësh.
Në Shkodër, është ndryshuar vendimi për shpronësimin e pronave që preken nga projekti “Rikonstruksioni i rrugës Shkodër–Velipojë, segmenti Harku i Bërdicës–Baks”. Vlera e shpronësimit është rritur nga 18,85 milionë lekë në 19,58 milionë lekë, me një shtesë prej 727,731 lekësh, e cila përballohet nga buxheti i shtetit, në llogarinë “Fondi i shpronësimeve”.
Ndërkohë, në Bashkinë Sarandë është miratuar shpronësimi i pronave private që preken nga projekti “Ndërtimi i Ujësjellësit Çukë–Bërbënesh”. Pronarët do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 283.200 lekësh, ndërsa fondi do të përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Në Vlorë, vendimi parashikon shpronësimin e pronave private që preken nga projekti “Rikonstruksioni i kanalit të ujërave të larta, Loti 1”. Kompensimi për pronat e llojit truall, përfshirë sipërfaqe ndërtesash, është përcaktuar në 11,1 milione lekë dhe do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
Vendimet përcaktojnë se pronarët kompensohen pasi të paraqesin dokumentacionin justifikues për likuidim pranë institucioneve përgjegjëse. Procedurat e shpronësimit parashikohet të kryhen brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimeve për projektet në Sarandë dhe Vlorë.
Projektet synojnë mbështetjen e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe të ujësjellës-kanalizimeve, ndërsa pasuritë e shpronësuara do të kalojnë në funksion të realizimit të projekteve përkatëse.
/e.xh/a.f/