Shpuesi i puseve vdes në gropën që hapi vetë
Një 36-vjeçar nga Malësia e Madhe, i cili merrej me hapjen e puseve, ka mbetur i vdekur dje pasdite, pasi ka rënë aksidentalisht nga një lartësi 21 metra. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të së premtes në fshatin Rrashkullaj të Komunës Gruemirë të Malësisë së Madhe. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se Bardhyl Kuçaj, banues në fshatin Rrashkullaj, ka qenë duke hapur një pus në oborrin e bashkëfshatarit të tij. Por në momentin që ka qenë duke zbritur me litar, ai ka rrëshqitur, duke rënë brenda në pus. Me gjithë përpjekjet për ndihmë të bashkëfshatarëve, Kuçaj nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. 36-vjeçari, baba i dy fëmijëve, prej vitesh merrej me hapjen e puseve në zonën e Gruemirës, që prej dekadash vuan mungesën e ujit të pijshëm. Policia ka shkuar në vendngjarje menjëherë pasi është sinjalizuar dhe ka arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, të shkaktuar nga pakujdesia dhe mungesa e kushteve të sigurisë teknike në punë.
#