Një familje përfundon me makinë në kanal, vdes fëmija 3 vjeç
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në mbrëmjen e djeshme në rrugën Fier-Vlorë. Si pasojë e këtij aksidenti ka gjetur vdekjen një fëmijë tre vjeç, si dhe kanë mbetur të plagosur pesë persona të tjerë. Të gjithë të dëmtuarit janë nga e njëjta familje dhe udhëtonin në të njëjtën makinë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”, rreth 4 kilometra larg qendrës së Komunës Levan dhe 6 km larg qytetit të Fierit. Një mjet tip fuoristradë me targa të Fierit, FR4599C, që drejtohej nga shtetasi Sokrat Dule, i cili vinte nga Vlora në drejtim të Fierit, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal me ujë. Ekspertë të policisë rrugore të Fierit thanë se si rezultat i shpejtësisë së madhe, mjeti ka fluturuar në ajër për rreth 10 metra dhe ka përfunduar në një kanal të mbushur me ujë anës rrugës. Personat që ndodheshin brenda mjetit kanë dalë nga makina të ndihmuar nga policia rrugore, e cila ndodhej jo shumë larg vendit të ngjarjes, por fatkeqësisht nxjerrja e një fëmije tre vjeç që ndodhej në makinë është bërë me vonesë dhe ai ka humbur jetën. Patrulla e policisë rrugore i ka dërguar të gjithë të dëmtuarit në spitalin e Fierit, por atje është konstatuar se për fëmijën 3 vjeç, L.Dule, nuk mund të bëhej më asgjë. E plagosur ka mbetur edhe një foshnjë 1 vjeçe, dy prindërit e saj, drejtuesi i mjetit Sokrat Dule dhe bashkëshortja e tij. Sipas policisë, të aksidentuarit janë banorë të lagjes “Apolonia” në qytetin e Fierit. Shkaku i këtij aksidenti sipas hetimeve të para mendohet se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Fëmija është çuar në morgun e spitalit, ndërsa drejtuesi i mjetit, Sokrat Dule, ka marrë plagë të rënda, sikundër edhe gruaja e tij. Mësohet se fëmija i vdekur ka qenë në ndenjësen e parë të makinës, në prehrin e së ëmës.
#