Greqi, pranga 7 shqiptarëve, iu kapën 200 kg kanabis
Më shumë se 200 kilogramë kanabis sativa ka kapur policia greke në papafingon e një banese në Kato Patisja. Policët e forcës së Sigurisë së Nikeas kanë zbuluar dhe vënë në pranga grupin e trafikantëve të drogës. Mediat greke raportojnë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rrugën Pirla. Forcat e policisë rrethuan banesën dhe pas kontrollit arrestuan shtatë shqiptarë - katër burra dhe tri gra - disa nga të cilët kanë marrëdhënie familjare mes tyre. Sipas policisë, tre çiftet dhe një person tjetër, kanë rënë në pranga pasi në banesat e tyre janë gjetur lëndë narkotike. Gjatë kontrollit janë zbuluar në banesë edhe sasi të vogla të heroinës dhe kokainës.
Polica e vendit fqinjë deklaroi se kreu i bandës është një nga gratë, nëna e një fëmije pesë muajsh. është zbardhur edhe mekanizmi i tregtimit të drogës, që sipas mediave greke, gruaja e realizonte duke e fshehur drogën në karrocën e fëmijës. Po sipas tyre, grupi operonte në zonën e Kato Patisjas, në Athinë. Bashkë me sasinë e konsiderueshme të kanabisit u sekuestruan edhe pesë gramë heroinë, tre peshore precize, gjashtë telefona celularë dhe 400 euro. Policia greke dyshon se droga e fshehur në papafingo ishte sjellë nga Shqipëria. Po sipas policisë, të arrestuarit i përkasin një grupi kriminal që merret me tregtimin e sasive të mëdha të drogës. Policia njoftoi se fillimisht, femrat ishin të dyshuara dhe pas një vëzhgim 4-mujor u vërtetua aktiviteti i tyre në trafikimin e lëndëve narkotike.
#