Sekuestrohen 80 lloje medikamentesh kontrabandë
Sektori i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit ka finalizuar dje në mesditë operacionin e koduar “Flour Day”. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se pas informacioneve të marra në rrugë operative, sektori i krimit ekonomik ka ushtruar kontrolle në tri farmaci të qytetit të Elbasanit me drejtues, P.F. 47 vjeç, K.B. 50 vjeç, si dhe A.B. 32 vjeç. “Nga këto kontrolle, sektori i krimit ekonomik gjeti dhe sekuestroi nën cilësinë e provës materiale 80 lloje të ndryshme medikamentesh, të cilat ishin pa pullën fiskale të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhej në komunikatën zyrtare të policisë, ku theksohej se medikamentet mjekësore ishin siguruar në mënyrë të paligjshme në tregun e Tiranës. “Nga ana e sektorit të krimit ekonomik u kryen të gjitha veprimet e para procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për hetime të mëtejshme. Ndaj tre farmacistëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
#