E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, nxirren koburet për zgjedhjet brenda PD-së

Ethet e zgjedhjeve brenda strukturave të Partisë Demokratike në Tropojë kanë shkaktuar probleme mes vetë anëtarëve lidhur me preferencat që ata kanë dhe tendencën e pushtetarëve për të mbetur në drejtim. Dje në mesditë, siç njoftohet nga burime të Partisë Demokratike, në Bajram Curri, ka pasur një situatë të tensionuar në një numër seksionesh, për shkak se baza e Partisë Demokratike nuk është shprehur, në takimet paraprake, pro drejtuesve të pushtetit në Tropojë. Janë zhvilluar debate të nxehta mes grupeve që përkrahin drejtuesit aktualë dhe që siç duket janë minorancë, si dhe grupimeve që kërkojnë rinovimin total të kësaj force politike në pushtet. Një anëtar i PD-së në Bajram Curri, duke mos dashur të identifikohet, tha se "baza e demokratëve nuk është aspak me kastën e tanishme, janë duke nxjerrë nga puna njerëzit e pakorruptuar dhe duket se e kanë privatizuar të gjithë pushtetin". Shumë kritika shkonin edhe në adresë të deputetit të Tropojës, që sipas opinionit të një pjese të anëtarësisë, po ndjek linjën nepotike të emërimeve. Dje, gjatë gjithë ditës, në Tropojë ka pasur një situatë shumë të acaruar zgjedhjesh nëpër seksione, aq sa në një fshat të Komunës Bytyç, janë parë dy njerëz të armatosur që kanë bërë presion për votat në seksion ndaj një të preferuari të tyre që është aktualisht në detyrë drejtuese të partisë dhe njëkohësisht mban post pushteti. "Në fshatin Kepenek, kemi qenë në rrezik konfrontimi me armë, hallall karriget që ia thyem njëri-tjetrit", tha një banor, anëtar i PD-së, duke shtuar se dy persona të armatosur janë përpjekur të nxjerrin nga baza votat e pamerituara për drejtuesit aktualë. Një burim tjetër tha se në këtë fshat kishte shkuar policia e rendit për të stabilizuar situatën, ndërsa për një incident të tillë mësohet se është alarmuar edhe qendra e Partisë Demokratike në Tiranë. E gjithë kjo fushatë zgjedhjesh po shoqërohet me rivalitet jo shumë korrekt edhe për shkak të mungesës së alternativës për të jetuar, për shkak të mungesës së punësimit dhe mjerimit total ku jo pak njerëz, marrjen me politikë, qoftë edhe në bazë, e shohin si një mënyrë mbijetese. Ndërsa të tjerë që mbajnë pushtetin nuk e lëshojnë për këtë arsye sepse, të nesërmen e shkarkimit ata duhet t‘i drejtohen "Ushtarit të panjohur" për punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›