Kthimi i emigrantëve për festa, radhë në Kapshticë
Me kthimin në vend të emigrantëve nga Greqia, sërish pika e kalimit kufitar e Kapshticës është kthyer në një zonë pritjesh, jo vetëm për hyrjet e shumta, por edhe për sa i përket pritjes së vetë emigrantëve në pjesën greke të territorit doganor. Ardhja e emigrantëve edhe këtë herë është shoqëruar me radhë në tokën greke, jo vetëm për shkak të lëvizjes së vetë emigrantëve, por edhe nga masat që nuk janë marrë në kohë nga autoritetet e shtetit fqinj. Ndërsa në pjesën shqiptare të doganës, me shtimin e lëvizjeve ndërkufitare gjatë fundjavës janë shtuar sportelet, e kundërta ka ndodhur nga pala greke. Ajo, pavarësisht nga numri i mjeteve dhe emigrantëve në pritje për të kaluar kufirin në territorin doganor, ka punuar vetëm me një sportel. Emigrantët thonë se u është dashur të presin në radhë, ndërkohë që në territorin grek gjatë gjithë ditës ka pasur mjete që kanë qëndruar për të paktën tri orë në pritje të kryerjes së procedurave të kalimit. Sipas emigrantëve që kanë ardhur në vend për festat e fundvitit, nga pala greke është punuar vetëm me një sportel, duke shkaktuar edhe vonesa në procedurat e kalimit. Shtimi i fluksit të lëvizjeve në hyrje të territorit vendas konfirmohet edhe nga autoritetet e policisë kufitare. Sipas komandantit të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, janë regjistruar në hyrje brenda 24 orëve të fundit të paktën 2000 shtetas. Pavarësisht nga një shtim i lehtë i lëvizjeve në të dyja anët e kufirit, sipas komandantit të kufirit, Edmond Çela, nuk ka pasur probleme pasi në palën shqiptare është menaxhuar mirë situata, duke përpunuar në të njëjtën kohë të paktën shtatë mjete, nëpërmjet sporteleve të hapura. Por ajo që ka shkaktuar vonesa edhe këtë herë ishte fakti se në anën tjetër të kufirit është punuar me një sportel të vetëm. Të paktën 70 mjete kanë qëndruar në territorin doganor grek në radhë për tri orë. Sipas emigrantëve të kthyer në vend për festat, ngadalësimi i punës në kufi ka bërë që radha të shkojë në të paktën një kilometër. Ajo që shqetëson më shumë të ardhurit në një periudhë që nuk është shënuar një fluks i lartë, ka qenë mungesa e hapjes së sporteleve shtesë nga pala greke, ndërkohë që emigrantët thonë se më e vështirë do të jetë situata në kthim për shkak të numrit të madh të shtetasve të interesuar për të kaluar kufirin. "Ka rreth 70 makina në radhë dhe na është dashur të presin tri orë në doganën greke pasi punohej ngadalë. Aty ka vetëm një sportel, si për makinat ashtu edhe për emigrantët dhe kjo ka bërë që të ketë shumë vonesa. Po më keq do të jetë në kthim, në rast se nga pala greke nuk merren masa për të shtuar sportelet, pasi më vonë do të ketë më shumë emigrantë dhe radhë", ka thënë Elton Gjergjo, një nga emigrantët e kthyer për festat. Ndërsa nga ana e tyre, emigrantët sërish janë përballuar me problemet në kufirin grek, nga ana e palës shqiptare deklarohet se janë mbajtur kontakte të vazhdueshme me palën greke për të lehtësuar kalimin e shtetasve në kufi. "Kemi pasur disa takime me palën greke dhe ajo na ka garantuar se do të shtojë në varësi të fluksit numrin e sporteleve. Për shkak se pritet të ketë një dyndje më të madhe se aktualisht, ky shtim nuk është bërë dhe sipas të dhënave që kemi marrë nga homologët tanë, në anën tjetër do të çelen deri në katër sportele për të përballuar situatën dhe për të mos krijuar ngarkesë në kufi", tha Edmond Çela. Një numër më i madh hyrjesh ditore në kufi pritet gjatë javëve në vazhdim. Që nga fillimi i dhjetorit, nëpërmjet Kapshticës, kanë hyrë në Shqipëri rreth 35 mijë emigrantë.