E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqetësimi, në rritje numri i lindjeve të parakohshme

04/05/2011  Problematika më e hasur te zonat rurale

Ndonëse vendi ynë gjatë viteve të fundit ka shënuar shifra në rënie për vdekshmërinë foshnjore, mjekët pohojnë se ky tregues nuk është shoqëruar edhe me uljen e lindjeve të parakohshme. Sipas të dhënave të raportuara, pohohet se lindjet e fëmijëve para kohe kanë pësuar rritje, duke mbartur kështu edhe rrezikshmërinë që këta fëmijë të manifestojnë probleme të tjera shëndetësore gjatë rritjes. Më të rrezikuarat nga kjo problematikë janë gratë e zonave rurale. Vetëm në maternitetin “Koço Glozheni” të kryeqytetit pohohet se lindjet e parakohshme zënë rreth 8 për qind të totalit të rreth 4500 lindjeve në vend. Pavarësisht kësaj rritjeje, mjekët e këtij materniteti bëjnë me dije se gjatë tre viteve të fundit nuk ka pasur asnjë rast të vdekjeve amtare. “Në njëfarë mënyre ka një rritje të lehtë nga viti në vit, nga 7.8 deri në 8 për qind. Në objektivat tona është ulja e numrit të lindjeve të parakohshme, sepse natyrisht shoqërohet me një sëmundshmëri dhe vdekshmëri tek fëmijët”, ka deklaruar në lidhje me këtë fenomen drejtoresha e këtij materniteti, Rubena Moisiu. Mosmarrja e shërbimeve të duhura shëndetësore që pranë nivelit parësor apo dhe mungesat e informacioneve që duhet të kenë nënat në veçanti kanë bërë që ky tregues të pësojë rritje, duke prekur më shumë gratë e zonave rurale. “Shkaku pse ky numër mbetet i njëjtë apo rritet është cilësia e shërbimit parësor. Mbase dhe edukata shëndetësore e nënave. Këtu flas për zonat rurale dhe jo vetëm për qytetin”, përfundon Moisiu.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›