Berisha – Rama, replika në distancë
Pas akuzave, reagon kreu i bashkisë
Meçani: Tirana, bashkia që ka përfituar më shumë nga qeveria
Kryeministria dhe Bashkia e Tiranës janë përfshirë në një debat në distancë mes tyre. Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha gjatë një vizite në Xhafzotaj ku kritikoi kryebashkiakun Rama për punë të dobët në kryeqytet, 24 orë më vonë Rama i është përgjigjur Kryeministrit, gjatë përurimit të një rruge në Tiranë duke u shprehur se ai përuron punët e vendorëve. Pak minuta më vonë, reagoi zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani, e cila tha se Rama përuroi një rrugë që e ka përuruar gjatë dy mandateve të tij të mëparshme. Në këtë mënyrë, kthehen replikat mes dy liderëve. Pak kohë më parë, një qortim i Kryeministrit se Rama, si kreu i bashkisë, ka lënë jetim kryeqytetin, bëri që Rama të linte mënjanë turin “Dialog me Shqipërinë” dhe për një javë rresht tui kushtohej punëve të bashkisë.
Rama
Në cilësinë e kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama u është përgjigjur dje deklaratave të Kryeministrit Berisha të bëra një ditë më parë nga Shijaku. “Berisha po i bën karshillëk Tiranës evropiane dhe po inauguron rrugë që nuk i ka bërë vetë”, - tha kryebashkiaku, njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë përurimit të punimeve infrastrukturore në rrugën “Sami Frashri” në Tiranë. Sipas tij, Berisha përuron punët e të tjerëve që s’i ka bërë as ai vetë.
"I gjori Kryeministër, që hakërrehet në Parlament si i forti i mëhallës dhe pastaj turret t'ua marrë gërshërët e inaugurimit kryetarëve të komunave për t'i bërë karshillëk Bashkisë së Tiranës me rrugë fshati që s’i ka bërë as ai vetë", - u shpreh Rama. Rama tha se qeveria e Berishës është e dështuar dhe do të jetë vetë populli shqiptar ai që do ta dënoje këtë dështim me votë. “Nuk e fsheh dot më dështimin e plotë të politikës së tij të vjetër, të cilën shqiptarët do ta dënojnë përfundimisht me votë për ta çliruar Shqipërinë nga kthetrat e së shkuarës, për ta kthyer në model të suksesit dhe të së ardhmes, si Tirana evropiane që ne po transformojmë çdo ditë”, - deklaroi kreu i PS-së.
Kryeministria
Pas kësaj deklarate, reagoi menjëherë Kryeministria përmes zëdhënëses së Kryeministrit, Juela Meçani. Gjatë deklaratës Meçani vuri në dukje se kryetari i bashkisë nuk mund të tallet dhe të fyejë fshatin, ndërsa punimet që përuroi sot, i ka përuruar edhe dy herë të tjera më parë gjatë dy mandateve.
“Edi Rama, teksa inauguroi një rrugë 403 m të gjatë dhe të gjerë 4 m, të cilën e ka inauguruar 2 herë gjatë dy mandateve të tij të fundit, shfrytëzoi rastin për të sulmuar Kryeministrin e Shqipërisë, duke fyer dhe tallur fshatarësinë. Pikë së pari, z. Rama në vend që të merret me talljen dhe fyerjen ndaj fshatit dhe përçarjen fshat-qytet, duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Tiranës se si ka mundësi që në Komunën e Xhafzotajt janë shtruar në tre vite 21 km rrugë, ndërkohë që në Bashkinë e Tiranës nuk është shtruar as gjysma e tyre”, - tha Meçani.
Njëkohësisht, zëdhënësja e Kryeministrit e konsideroi si trillim të Ramës komentin e tij mbi fondet. Ajo konfirmoi se Kryeministri Sali Berisha “ka trefishuar grandet për qeverinë vendore, nga 7.1 miliardë lekë në 21 miliardë lekë dhe bashkia që ka përfituar më shumë nga ndihma e Sali Berishës, si asnjëherë më parë në historinë e saj, është Bashkia e Tiranës, së cilës, përveç grandeve të kushtëzuara e të pakushtëzuara, Kryeministri Berisha, me ndërhyrjen e tij personale, i siguroi mbi 150 milionë dollarë të tjerë, kredi këto të mbuluara nga qeveria”. Meçani përmendi edhe investimet dhe kreditë në ujësjellës e kanalizime SHA, me kredinë italiane, për rehabilitimin e sistemeve të furnizimit me ujë, me 3.8 milionë euro, punimet për përmirësimin dhe performancën e Bovillës me 0.86 milionë euro, të cilat priten të fillojnë.
Sali Berisha:
“Nuk mund të mos më shkojë mendja tek balta e rrugicave të lagjeve të Tiranës dhe e ftoj kryetarin me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës të vijë tek Agim Hoxha, kryetari i Xhafzotajt të mësojë se si shtrohen rrugët dhe si përdoren paratë”, - u shpreh Kryeministri. “Çdokush që kalon në rrugët dhe rrugicat e këtyre fshatrave, - vijoi më tej Kryeministri, - i gjen ato të standardeve më të mira, standarde që absolutisht nuk i gjen dot në rrugicat e Tiranës. Shqipëria rurale zhvillohet nëpërmjet rrugëve”.
Edi Rama:
“Berisha po i bën karshillëk Tiranes europiane dhe po inauguron rrugë që nuk i ka bërë vetë. Nuk e fsheh dot më dështimin e plotë të politikës së tij të vjetër, të cilën shqiptarët do ta dënojnë përfundimisht me votë për ta çliruar Shqipërinë nga kthetrat e së shkuarës, për ta kthyer në model të suksesit dhe të së ardhmes, si Tirana evropiane që ne po transformojmë çdo ditë”.
Juela Meçani:
“Edi Rama, teksa inauguroi një rrugë 403 m të gjatë dhe të gjerë 4 m, të cilën e ka inauguruar 2 herë gjatë dy mandateve të tij të fundit, shfrytëzoi rastin për të sulmuar Kryeministrin e Shqipërisë, duke fyer dhe tallur fshatarësinë. Pikë së pari, z. Rama në vend që të merret me talljen dhe fyerjen ndaj fshatit dhe përçarjen fshat-qytet, duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Tiranës se si ka mundësi që në Komunën e Xhafzotajt janë shtruar në tre vite 21 km rrugë, ndërkohë që në Bashkinë e Tiranës nuk është shtruar as gjysma e tyre”.