E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama padiste shokët e tij basketbolliste/ë



Kryeministri kritikon nga Shijaku kryebashkiakun e Tiranës

“Rama s’di gjë tjetër, veç të kapë e të vërtisë topa”

Në rast se nuk është akuzuar për ish-spiun të Sigurimit të Shtetit, Edi Rama “rezulton” të jetë i tillë, por me pasoja shumë herë më të lehta sesa ato që mund të shkaktonin sigurimsat. Gjatë kohës së rinisë kur ushtronte lojën e basketbollit, Edi Rama ka paditur shokët e tij dhe trajnerët e këtij sporti. Pikërisht këtë i vuri dje në dukje kundërshtari politik, Sali Berisha, gjatë vizitës që zhvilloi dje në zonën e Shijakut. Kryeministri ironizoi Edi Ramën duke e quajtur atë si kryetari me korrespodencë i Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, Rama ka shkëputur lidhjet me komunitetin kryeqytetas dhe s’di gjë tjetër veçse të vërtisë 2-3 topa në oborrin e ndonjë shkolle. Kjo, - vijoi Kryeministri, - edhe pse ka qenë një ndër basketbollistët më të dobët të vendit që padiste gjithë ditën shokët e tij dhe trajnerët”. Gjatë vizitës së djeshme në Shijak, teksa inauguronte rrugën e fshatit Xhafzotaj, investim prej 17 milionë lekësh i Fondit Shqiptar për Zhvillim (FSHZH), Berisha bëri një krahasim me rrugicat e rrugët e shtruara në Tiranë. Ai u shpreh se "do t’i kërkoj këshillit bashkiak të Tiranës që të masë rrugicat e shtruara, por, jam i sigurt që janë shumë më pak sesa rrugët e shtruara në fshatin Xhafzotaj, Salmone, Rreth, të kësaj komune". “Shkoni dhe shikoni lagjen “Don Bosko” në Tiranë, që përmbytet vazhdimisht dhe që ka baltë deri në gju dhe rrugë të paasfaltuar. Në Xhafzotaj punohet dhe kryetari i komunës nuk është me korrespodencë, por punon për komunitetin. Ky është kontrasti mes qeverisë së mirë dhe qeverisjes së shkuar”, - tha z. Berisha. Po dje Kryeministri Berisha vizitoi shkollën 9-vjeçare të fshatit Xhafzotaj, një shkollë e ndërtuar gjatë këtij mandati të qeverisjes demokratike. Edhe gjatë takimit me mësuesit e kësaj shkolle, Berisha shigjetoi kundërshtarin politik duke i vënë në dukje se “kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës nuk guxon të futet në një laborator informatike, sepse ka alergji të tmerrshme nga IT”, duke nënvizuar se e vetmja gjë që ai bën është “të kapë e të vërtisë 2-3 topa, edhe pse ka qenë një ndër basketbollistët më të dobët të këtij vendi”. Duke u ndalur tek investimet në shkollën 9--vjeçare Xhafzotaj, Berisha pohoi se është një shkollë model, duke vlerësuar punën e drejtorit të shkollës, z. Jakup Lala dhe stafit drejtues të kësaj shkolle në kompletimin e kësaj shkolle, në ndërtimin e sheshit sportiv, lulishteve, laboratorëve të tjerë, krahas atij të informatikës etj. Kryeministri theksoi faktin se kjo shkollë është e ndërtuar që në vitin 1916 dhe ka një histori të sajën, me të cilën ka të drejtë të krenohet gjithë zona. “Një mirëmbajtje e tillë e kësaj shkolle bëhet vetëm me dashuri të madhe për misionin fisnik të mësuesit dhe profesionin e tij”, - tha Kryeministri.

Brenda 2009-s, asnjë rrugë e paasfaltuar

Kryeministri Sali Berisha premton se brenda 2009-s nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar. Berisha mori pjesë dje në përurimin e rrugës Shijak-Koxhasë-Borakë-Sukth, një rrugë që lidh këtë zonë me superstradën Tiranë-Durrës. Gjatë përurimit të kësaj rruge në fshatin Koxhasë të Komunës Xhafzotaj (Shijak), Kryeministri nënvizoi se në këtë zonë janë 28 km rrugë rurale, ku në 8 vitet e qeverisjes socialiste nuk u asfaltua asnjë kilometër. “Në vitet e qeverisjes demokratike, në këtë zonë janë përfunduar tërësisht 14 kilometra rrugë, ndërsa janë në përfundim e sipër 7 km rrugë të tjera”, - tha z. Berisha, duke theksuar se “në fund të vitit 2008 ne shtrojmë 75 për qind të rrugëve, kurse brenda 2009 nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara në fshatrat e kësaj komune”. Kreu i qeverisë u ndal dhe në buxhetin suplementar të këtij viti, i cili mori miratimin në Kuvend. “Atyre që kanë votuar kundër buxhetit u them që të vijnë këtu dhe të pyesin fermerët nëse duan që të shtrohen rrugët e tyre, nëse duan që të rriten pensionet e tyre pasi këto janë meritat e buxheteve të mirëorganizuara”, - cilësoi z. Berisha. Ndër të tjera Kryeministri tha se “atyre që janë skeptikë ndaj projektit të asfaltimit të rrugëve rurale, projekt shumë ambicioz, me 400 milionë dollarë këstin e parë, u them që të vijnë këtu, të dalin nga kulla e fildishtë dhe të shëtisin, sepse gjejnë këtu gjysmën e rrugëve të asfaltuara në dy vjet dhe po kështu do vazhdojmë derisa sa të nxjerrim tërësisht Shqipërinë nga balta dhe nga çakulli”.

Rama: Përballë Berishës kemi vetëm rrugën përtej së majtës dhe së djathtës

Kryetari i PS-së, Edi Rama, iu rikthye edhe një herë dje debatit në Parlament mes Kryeministrit Berisha dhe deputetit socialist, Taulant Balla. Por pavarësisht akuzave drejtuar kreut të qeverisë, kreu i PS-së e ka shfrytëzuar këtë konferencë për të ribërë thirrje qytetarëve që të votojnë alternativën e tij politike, që sipas Ramës është politika e re që s’do sjellë në Parlament shfaqje të tilla. Nëpërmjet një deklarate për shtyp theksoi dje se "për fat të keq më duhet të riflas lidhur me shfaqjen e ulët që Kryeministri i vendit dha këtë javë përmes agresionit të tij ndaj deputetit Taulant Balla, që ishte një agresion ndaj Parlamentit dhe gjithë qytetarëve e qytetareve të Shqipërisë. Për fat të keq më duhet të riflas sepse pas agresionit nuk erdhi ndjesa, madje nuk pasoi as heshtja, po vijoi shfaqja e ulët duke e ulur edhe më poshtë shkallën e besimit të shqiptarëve tek kjo politikë e vjetër e tek ky parlament i lindur nga imoraliteti i Dushkut dhe i katandisur në një teatër të të gjitha varieteve të imoralitetit politik". Rama tha se aktualisht "ne kemi vetëm një rrugë për të shpëtuar nga pasojat e kësaj rruge pa krye, ku Sali Berisha dhe të tijtë kanë futur vendin dhe kjo është rruga e bashkimit të qytetarëve shqiptarë, burra e gra, të moshuar, të reja e të rinj, përtej të majtës e të djathtës, në një rrjet të madh mirëkuptimi e solidariteti njerëzor".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›