E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri- Rumani Kuzhe ka gati një rrokadë Duro-Muzaka

DURRES- Në prag të ndeshjes me Rumaninë, pas 3 ditësh, Kuzhe vendos rregulla të reja për skuadrën kombëtare e cila ndodhet në Durrës për stërvitje. Kuzhe ka urdhëruar evitimin e kontakteve me jashtë për të gjithë futbollistët, kufizim i shëtitjeve jashtë hotelit dhe rregulla tepër të forta për mediat. Gazeta Shqiptare shkruan sot se “kurrë më parë nuk ishte parë një klimë e tillë në ekipin kuqezi, ndërkohë që shkaqet përse ndodh ky ndryshim, janë ende disi të panjohura”. Përpara është Rumania dhe ndoshta Kuzhe dëshiron që futbollistët të jenë të përqendruar vetëm te ndeshja, duke harruar intervistat si edhe kafet me të afërmit në lokalet pranë hotel "Dyrrah".Futbollistët e fundit që kanë mbërritur në grumbullimin e ekipit kombëtar kanë qenë Lorik Cana, Klodian Duro dhe Hamdi Salihi. Ata janë aktivizuar në ndeshjet e së dielës në kampionatet e tyre dhe kanë mbërritur në Shqipëri vetëm ditën e djeshme. Kombëtarja ka zhvilluar dje vetëm një seancë stërvitore, atë të orës 18.00. Ndërkohë, sot kuqezinjtë do të luajnë një ndeshje miqësore ndaj Apolonisë, ndaj së cilës Kuzhe synon të shohë nga afër formën e lojtarëve të veçantë para takimit me Rumaninë.
Formacioni
Shqipëria do të shkojë në Rumani pas disa rezultatesh pozitive radhazi të marra në ndeshjet miqësore, të cilat kanë krijuar idenë se cili do të jetë formacioni bazë i kombëtares. Ndryshimi i vetëm pritet të jetë një rrokadë mes Duros dhe Muzakës në krahun e djathtë dhe kjo për faktin se mesfushori i LASK Linzit nuk ka zhvilluar ende një ndeshje zyrtare për këtë sezon dhe nuk gëzon një formë të mirë. Në krahun tjetër, lojtari i Dinamos ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit, sidomos në miqësoren e 11 gushtit kundër Uzbekistanit. Ndërkohë, në portë do të luajë Beqaj, ndërsa para tij pritet të jenë Dallku, Cana, Curri dhe Vangjeli. Në mesfushë pritet të luajnë Bulku, Lila, Muzaka dhe Agolli, ndërsa në sulm dyshja Bogdani-Salihi.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›