E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e socialistëve, po sikur mos të hapen kutitë?!



Një ditë e zakonshme në bar-restorant “Austria” ose “Shefikati”, siç i thonë socialistët, që kanë shtëpinë e tyre politike ngjitur, nuk është si një ditë e zakonshme në një bar çfarëdo në Tiranë. Në bisedat e klientëve të përhershëm të këtij bari, që janë deputetë të PS-së, ish-deputetë, anëtarë kryesie apo forumesh të tjera dhe zyrtarët e selisë rozë, ka dilema pa fund. Dilema që shkojnë nga njëra tryezë në tjetrën dhe mbeten pa zgjidhje. Dilema që japin variante nga ato më të thjeshtat që i shkojnë për shtat vetëm një mendjeje të cekët e deri tek ato më radikalet. E gjithë çështja qëndron: si do të gjejë rrugën PS-ja për të hyrë në Kuvend? Edhe pse në dukje shumica e mbështet Ramën, askush nuk e ka marrë seriozisht këtë punën e bojkotit, që sa më shumë kalon koha, aq më i pakuptimtë dhe më i pakapërcyeshëm bëhet. Një deputet i ri që s’e ka gëzuar akoma këtë detyrë të re dhe të rëndësishme që i kanë dhënë zgjedhësit, pyet çfarë ndodh sikur të mos hapen kutitë. Askush s’i jep dot një përgjigje të qartë. As vetë Rama. Si një rrugë pa krye. Por, të gjithë kur nuk dinë asgjë, fillojnë të sajojnë. I pari Rama, i cili thotë se hapja e kutive nuk është në dorën e Berishës, por në dorën tonë. Veçse, si e qysh e tek nuk e sqaron duke i shtuar dhe më shumë dilemat e shkreta në mendjet e trazuara të socialistëve që tashmë janë dhe pa punë dhe mendojnë më shumë se më parë. Në këtë kafene luksoze, ndoshta e vetmja që ka përfituar nga të qenit në opozitë të PS-së, artikulohen termat bojkot, protesta, barrikada, anulim zgjedhjesh e çfarëdo lloj tjetër që të japë mesazhin e radikalizimit revolucionar, por nuk ka asnjë plan dhe as një ide se si arrihet kjo. Disa thonë se kjo nuk vazhdon gjatë. Berisha do t’i hapë kutitë. Por, kolegu i kujton se Berisha është përgjigjur prerazi se nuk i hap kutitë. Aq më tepër që Rama i ka thënë indirekt se po të hapësh kutitë, ti quhesh “kriminel i zgjedhjeve”, pra duhet të ikësh nga pushteti, pavarësisht se i ka thënë se unë nuk t’i prek mandatet në rrugë ligjore, por politikisht mendon ta rrëzojë nga pushteti pas hapjes së kutive dhe shpalljes si “kriminel të zgjedhjeve”. Disa thonë do ta detyrojmë ne. Disa të tjerë thonë se do ta detyrojnë të tjerët. Po se kush do ta detyrojë duket pa përgjigje, përderisa ndërkombëtarët po tentojnë të kundërtën, pra të bindin opozitën të shkojë në Kuvend. Dikush thotë me anë të bojkotimit të Kuvendit, por kjo nuk kuptohet qartë nga të tjerët se si do të detyrohet mazhoranca të hapë kutitë pa vajtur opozita në Kuvend. Kur mbarohen të gjithë argumentet me bojkotin, i kthehen mekanizmit të protestave. Dikush thotë do t’i detyrojmë me protesta. As kjo nuk është e qartë përderisa thuhet që protestat do të jenë paqësore. Disa thonë që do të rrethohet Kryeministria me protestues që do të qëndrojnë derisa Berisha të largohet. Po nëse nuk largohet Berisha, sa gjatë vazhdojnë protestat, edhe kjo nuk dihet. Ka disa që thonë se do të ketë krizë ekonomike, por nuk e thonë se kur dhe sa e ka në dorë PSSH këtë gjë. Nëse ka ndonjë analizë që nuk e di as qeveria dhe as institucionet ndërkombëtare, duhet që kjo të bëhet e ditur së paku konfidencialisht. Po ka të tjerë që gjejnë dhe zgjidhje më të shkurta, megjithëse duken paradoksale si “po vajti 1 euro me 150 lekë, qeveria rrëzohet”. Po edhe kjo nuk është e qartë se si. Dhe sa e ka në dorë PSSH kursin e euros.

Dilema më e madhe ka të bëjë me datën 6 mars 2010, kur mbushen 6 muaj për humbjen e mandatit të deputetit. Kur deputetët socialistë aktualisht të papunë ia kujtojnë njëri-tjetrit këtë datë, disa përgjigjen se nuk e besojnë të shkojë deri atëherë bojkoti, se Berisha do të dorëzohet. Kurse ndonjë akoma më i vendosur thotë se unë nuk e humb mandatin tim, do të pres edhe pak e do të futem, por edhe ky nuk e di kur do ta marrë guximin. Ndonjë konspiracionist i vjetër thotë se tani që erdhi në pushtet në Greqi Papandreu, do të na ndihmojë të ndjekim shembullin e tij. Por, më e bukura ishte një bisedë që një njeri pranë Ramës i kishte bërë një mikut të tij, sipas së cilës në dhjetor vjen Bill Clinton, i cili do t’i mbushë mendjen Metës që të largohet nga Berisha, do të pajtojë Metën me Ramën, do të bashkojë të majtën, do të bëhen zgjedhje të parakohshme dhe do të fitojë e majta. Ka edhe pyetje ogurzeza që mezi ua zë goja ca socialistëve të vërtetë që besojnë me mish e shpirt tek lideri. Po sikur Rama të pranojë që deputetët të futen në Kuvend dhe të ndalojë protestat, pa u hapur kutitë, cili do të jetë justifikimi?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›