E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti për kullotat, vritet 60 vjeçari

KORÇË / Reshat Hadri është vrarë mbrëmjen e djeshme nga fqinji i tij Shefqet Goroveci. Policia arreston autorin



Korçë- Një 60-vjeçar, Reshat Hadri është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në Korçë pas një konflikti banal për kullotat. Vetëm 30-minuta më pas policia ka arrestuar autorin e krimit, Shefqet Goroveci nga fshati Podgorie i Korçës.
Duke iu referuar burimeve të policisë lokale mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.00 në fshatin Podgorie rreth 20 kilometra larg qytetit të Korçës. Shtetasi Reshat Hadri banor i këtij fshati është zënë me bashkëfshatarin e tij Shefqet Goroveci. Shkak i grindjes së tyre të përsëritur ka qenë një kullotë, në të cilën hynin bagëtitë e viktimës Hadri. Dy shtetasit janë grindur dhe goditur me gurë para krimit.

Sipas policisë, dy familjet, në mënyrë të vazhdueshme kanë pasur grindje për kullotat që ndodheshin ngjitur me njëra-tjetrën. Por edhe pse kanë pasur debate, Goroveci ka vazhduar të mos ndryshojë rrugëkalimin me bagëtitë që i çonte për kullotë. Mësohet se gjatë orëve të pasdites të së shtunës, dy burrat janë grindur fillimisht dhe goditur me gurë me njëri-tjetrin, ndërsa autori i ngjarjes ka vendosur të kryejë vetëgjyqësi. Ai ka rrëmbyer një armë gjahu që e kishte me leje dhe ka shkuar të kërcënojë shtetasin Reshat Hadri 60 vjeç. Ndonëse ky i fundit nuk është trembur as nga çiftja duke vazhduar në të tijën, Shefqet Goroveci ka vendosur të ekzekutojë atë. Ai e ka qëlluar 60 vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend në kullotën e tij, kur e ka kapur në flagrancë me bagëtitë në kullotën e vet. Pas krimit autori i ngjarjes është larguar në periferi të fshatit Podgorie, ndërsa viktima ndonëse është transportuar për në spitalin e Korçës për ndihmë mjekësore ka mbërritur aty i vdekur.

Policia e juglindjes ka mundur të identifikojë dhe arrestojë vetëm pas 30 minuta kërkimesh autorin e krimit Shefqet Goroveci. Autori me çiften e vrasjes është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa ka menduar të fshihet vetëm pak metra larg fshatit të vet. Arrestimi i tij nuk ka qënë shumë i lehtë, pasi ai ishte i armatosur. Goroveci është kapur në befasi nga forcat e policisë jo shumë larg banesës së vet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›