E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiperi-Argjentine frike per humbje tenistike

Miqësorja e luksit kundër Argjentinës po afron, por të gjitha parashikimet janë kundër kombëtares shqiptare. Problemeve të shumta me grumbullimin e lojtarëve kuqezinj i shtohet edhe fakti që skuadra vendase e udhëhequr nga Sergio Batista e ka marrë seriozisht këtë miqësore, ndërsa frika e një humbjeje tenistike bëhet më reale.

Argjentina është në kulmin e përgatitjeve në prag të Kupës së Amerikës, ndërsa miqësorja me Shqipërinë është e fundit përpara nisjes së kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit të amerikano-jugor. Po ashtu ndeshja e 20 qershorit është shansi i fundit për bindur trajnerin Batista se meritojnë një vend në formacion. Vetë tekniku i ka cilësuar si vendimtare ditët e fundit përpara fillimit të Kupës së Amerikës që do të zhvillohet pikërisht në Argjentinë.

“Të gjithë futbollistët janë në një formë të mirë, ndërsa gjatë kësaj periudhe po qartësoj idetë e mia në lidhje me skemat e mundshme që do të aplikojmë gjatë turneut”, ka thënë Batista. Trajnerit argjentinas i janë përgjigjur të gjithë futbollistët, që e cilësojnë skuadrën e tyre favorite për të fituar Kupën e Amerikës.

Të gjitha këto janë sinjale të forta për kombëtaren shqiptare të Josip Kuzhe, e cila do të zbresë në ‘Monumental’ të Buenos Aires me një skuadër emergjente, pa shumë prej titullarëve të saj dhe me shumë futbollistë që luajnë në Superligë.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›