Pako-bombë për trajnerin e Sëlltik, Lenon
Shpesh herë futbolli reklamohet si sporti që sjell paqe duke afruar popujt, por në disa raste loja më e famshme në botë është vërtetë e rrezikshme. Këtë e di mirë trajneri i Sëlltik, Neil Lenon, të cilit i është dorëzuar një pako bombë, por për fatin e mirë dhe falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë skoceze ajo nuk ka shpërthyer. Sipas forcave të rendit ngjarja e rëndë ka të bëjë me rolin e Lenon në krye të pankinës së skuadrës së kryeqytetit skocez, ndërsa dyshohet se autorë të dërgesës së pakos bombë janë tifozë të skuadrës tjetër Gllazgou Rejnxhër. Dy tifozeritë kanë një rivalitet të theksuar ndaj njëra-tjetrës, kjo edhe si pasojë e etnive fetare. Sëlltik është skuadra e katolikëve, ndërsa Rejnxhërs e protestantëve dhe urretja mes grupimeve të tifozëve shpesh herë ka degjeneruar në dhunë në të shkuarën. Policia skoceze e mbështet hetimin te pista e rivalitetit në futboll, pasi pako-bombë janë dërguar edhe në adresën e dy njerëzve të njohur, tifozë të deklaruar të Sëlltik. Kjo nuk është hera e parë që Lenon merr të tilla kërcënime. Në vitin 2002 ai u largua nga drejtimi i kombëtares së Irlandës së Veriut, pasi mori një kërcënim me vdekje që sipas mediave lokale erdhi nga një grup paramilitarësh protestantë. Po ashtu janarin e shkuar, trajneri me origjinë irlandeze-veriore bashkë me një futbollist të Sëlltik mori një zarf me plumb. Gjithsesi akti i fundit ka tensionuar akoma më shumë ndeshjen e ardhshme mes Sëlltik dhe Rangers. Dy skuadrat e qytetit skocez Gllasgout do të përballen këtë të dielë, ndërsa sfida pritet të shoqërohet me masa të rrepta sigurie.