Shqipëri-Itali, marrëdhëniet mes tyre mbushin 100 vjet

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu në aktivitetin “Festa e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, organizuar nën kujdesin e ish-ambasadorit italian në Shqipëri, Paolo Foresti
Në kuadër të festimeve me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu mori pjesë në aktivitetin “Festa e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, organizuar nga Bashkia e Todit, në Itali, nën kujdesin e ish-ambasadorit italian në Shqipëri, Paolo Foresti.
Ministrja Bregu është shprehur se ceremonia është domethënëse për Shqipërinë dhe për lidhjen që kanë dy vendet.
“Shqipëria në 100 vitet e fundit ka kaluar periudha shumë të vështira, luftra, pushtime, një nga diktaturat më të egra të historisë së njerëzimit, dhe një tranzicion të vështirë drejt demokratizimit, ndërsa sot, feston 100 vjetorin si një vend i lirë, demokratik, si një partner i përgjegjshëm i Shteteve të Bashkuara dhe Europës, si një vend anëtar i NATO-s, si një vend që pret së shpejti statusin e vendit kandidat, si një faktor stabiliteti në rajon dhe në botë dhe që është krenar që ka arritur të transformohet kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër”, deklaroi Bregu.
Zëvendës President i Dhomës së Deputetëve prof. Roko Butilione dhe Kryetari i Bashkisë së Todit Dr. Carlo Rossini janë shprehur gjithashtu entuziastë për arritjet e Shqipërisë, për lëvizjen e lirë të shqiptarëve nëpër Evropë, si dhe për vlerat e lashta të kombit shqiptar, që gjeografikisht e historikisht i ka përkitur prej shekujsh Evropës.