Dita… apo Nata e Pavarësisë?!
Paraditen e Ditës së Pavarësisë, këtë të premte pra, dola shëtitje në Tiranë me vajzën time. Mendova se kjo është një festë të cilën më së pari kanë të drejtë ta ndiejnë e ta festojnë fëmijët dhe se ne prindërit, nga ana jonë, më së pari fëmijëve duhet t’ua ushqejmë festimin e asaj dite. Kështu që kërkesa e sime bije: “Dua të festojmë”, më bëri të nxitoja të dilja, të kërkoja festën në qytet... Për më tepër: ditë e bukur me diell, ku ka më mirë për një festë kombëtare… Do kënaqeshim. Kushedi sa bukur do ish bërë Tirana, e kushedi ç’surpriza do kish organizuar bashkia. Me siguri më bukur se Ditën e Ballokumeve. Dita e Flamurit hesapi!!… Por cazë më vonë, pashë që vetëm flamuj s’kish rreth e qark dhe urova veten që s’e kisha bërë as unë atë gabimin e madh: të merrja flamur me vete nëpër Tiranë. Se vajza në fakt më kërkoi të merrte me vete dhe flamurin e vogël që e mbajmë në shtëpi. Kishte qejf të gëzonte… Po thuaj shyqyr që nuk e lashë ta merrte. Flamurin pra, se do kishim lënë nam, për atë Zot! Do kishim qenë i vetmi flamur në qytet. E kushedi ç’do na kishin tallur... Zoti na ruajttë!
Nejse. Për t’i rënë shkurt, pashë në fakt që në Tiranën tonë askush s’e kish marrë seriozisht Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit. Dukej si dita e gënjeshtrave, si 1 prilli. Asnjë bandë muzikore, asnjë grup muzikor, asnjë koncert, asnjë tingull për be, asnjë argëtim, asnjë ngjyrë… Asnjë festë, pra as për vajzën time, asnjë festë për fëmijë. As për të rritur xhanëm. E u ktheva në shtëpi me bisht në shalë, si i thonë. Veçse më vonë, pasdite, dëgjova një lajm që më bëri të ngre veshët: “Në darkën e datës 28 Nëntor do të organizohej një koncert”. Në darkë, pra, natën... Atëherë e kuptova thelbin e keqkuptimit tim. U ndjeva në faj. U kisha rënë kot më qafë atyre që unë naivi mendova se e kishin për detyrë ta organizonin Festën e Flamurit në Tiranë. Kuptova që gabimi qëndron tjetërkund: duhet ndryshuar thelbi, or burrë i dheut. Ndaj në atë moment më feksi mendimi, e thashë me vete: “Pse s’ia ndërrojmë emërtimin? Në vend ta quajmë si deri tani “Dita e Pavarësisë”, le ta quajmë “Nata e Pavarësisë”. Ta ndryshojmë në ato ligje e vendime, në të gjitha ç’janë. Dhe më së pari në kaplloqen tonë si shqiptarë. Dhe kështu e zgjidhim këtë punë njëherë e mirë. Për shumë arsye. Sepse, të dashur miq, për “zogjtë e natës” nuk kanë rëndësi ata që jetojnë dhe festojnë gjatë ditës. E kam fjalën, nuk kanë rëndësi fëmijët që duhen edukuar me ndjenjën e atdhedashurisë apo të rinjtë që duhet ta ndiejnë Festën e Flamurit si festë të tyren… edhe ditën. Kështu që hajde ta ndërrojmë ligjin dhe i detyrojmë të gjithë që ta festojnë natën Festën e Flamurit. Edhe për një arsye tjetër shumë, shumë të fortë: se natën s’duken as flamujt që mungojnë... Pra, të nderuar bashkatdhetarë, ta gëzoni Natën e Pavarësisë! Mot, me më shumë... flamuj!